Kosovë
Java: Qeveria Kurti me VV-në dhe Listën Serbe, aktivistët e VV-së në borde, Serbia në Veri

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të respektojnë masat restriktive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, Covid-19. Për fat të mirë, numri i rasteve të konfirmuara vazhdon të jetë i ulët, ndërsa numri i të vdekurve ka mbetur i njëjtë, vetëm një. Por jashtë kësaj, situata politike gjatë kësaj jave ishte më dramatike se asnjëherë tjetër.
Kjo javë nisi me diskutimet e ashpra ndërmjet Vetëvendosjes dhe partive të tjera në lidhje me atë se çka kishte të drejtë të bënte Presidenti pas situatës së krijuar pas rrëzimit të Qeverisë me anë të mocionit të mos-besimit që ishte iniciuar nga LDK-ja.
Kurti dhe të tijët insistojnë që folja kushtetuese “mund” ka kuptimin e foljes “duhet”, ani pse natyrisht që folja është “mund” e jo “duhet”. E dimë se është banale e qesharake, por ja që Kurti si duket vazhdon në përpjekjen e tij sharllatane për të manipuluar qytetarët e Kosovës me arsimim të dobët. Ai kërkon që Presidenti të shpall zgjedhjet e reja përmes një supremacie të papranueshme interpretative. Dhe, si të mos mjaftonte kjo doli këshilltari i tij për çështjet juridike, Durim Berisha, i cili vetëm pak muaj më herët kishte thënë po atë që po e thonin partitë e tjera në Kosova, dhe jo atë që e tha Kurti. Shpjegimi i tij? Unë nuk i lexoj tekstet që i bëj.
Natyrisht, gjërat janë fare të qarta. Folja “mund” që ndodhet në pikën 82.2 të Kushtetutës i lejon presidentit që të kërkojë një tjetër mandatar për formimin e Qeverisë nëse dikush tjetër përveç partisë së parë siguron shumicën parlamentare.
Çka ndodhi më pas?
Vetëvendosje emëroi katër anëtar të saj në katër borde të ndërmarrjeve publike, përfshirë edhe mikun e studimeve të z.Kurti, Artan Dermakun në Infrakos. Kjo parti politike dikur kishte qenë tepër kritike ndaj partive të tjera për këtë gjë, por duket qartë se tashmë standardi i dikurshëm i gjykimit – e që kërkonte mos-vendosjen e anëtarëve të bordeve politike me prapavijë politike – është hedhur në koshin e madh të qëndrimeve të shkelura të kësaj partie.
“Duke dënuar aktivistët me papunësi dhe duke dënuar profesionistet me depolitizim, përfundojmë me skizofreni ne diskutimin tonë publik, ku politikanët kërkojmë të jenë njerëz pa profesione, d.m.th. të paaftë, e ku profesionistët duhet të jenë të heshtur sepse s’duhet të mbajnë qëndrime politike, d.m.th. memecë.” – u justifikua Liburn Aliu.
Dhe për fund, ngjarja më tmerruese ndër të gjitha është ofrimi i sovranitetit të dy komunave veriore që i bëri Qeveria e Kosovës, Qeverisë së Beogradit. Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe ajo e Zveçanit u vendosën në Karantinë nga Republika e Serbisë për shkak të gjashtëmbëdhjetë rasteve me koronavirus – një masë që lëre që nuk u protestua nga Qeveria e Kosovës, siç ndodhte nga kryeministrat e mëhershëm, por madje edhe bashkëpunoi.
Derisa përplasjet politike në Kosovë vazhdojnë, koronavirusi tashmë ka shkaktuar dëmin më të madh në vend: përforcimin e pushtetit të Serbisë në komunat veriore.
Për ironi, partneri më i mirë i Vetëvendosjes në Qeveri nuk qëlloi një parti shqiptare, LDK-ja, por një parti serbe, Lista Serbe./Periskopi






















