Kosovë
Haki Abazi me deklarata të pambështetura sulmon oponentët e VV-së

Zv.kryeministri në detyrë Haki Abazi sapo ka publikuar një deklaratë në profilin e tij në Facebook.
Ai konsideron se rrëzimi i qeverisë Kurti ishte përmbysje e rendit demokratik dhe shkelje e Kushtetutës së Republikës Parlamentare – ani pse nuk tregon se cilin nen në konkretësi e ka shkelur votimi i mocionit nga deputetët në seancën e 25 marsit.
Ndërkohë, ajo që dihet është se z.Kurti, kryeministër, e ka shkelur Marrëveshjen për Bashkëqeverisje të nënshkruar bashkë me z.Isa Mustafa, kryetarin e LDK-së – pas shkarkimit që i bëri z.Agim Veliu, përcjell Periskopi.
Ai po ashtu konteston të drejtën e presidentit Thaçi për të vepruar sipas diskrecionit të tij në lidhje me situatën e mbetur pezull sa i përket mandatarit.
“Presidenti nuk mund të veprojë si mbret,” – thotë ai.
Z.Abazi shkruan se “nuk mundet Thaçi të negociojë lirinë e tij me fatin e shtetit!” – duke vazhduar të kultivojë thashethemin e pambështetur deri më tash se presidenti është i ndjekur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë (Gjykata Speciale), dhe se prokurorët e huaj kanë bërë ndonjë marrëveshje me të, për ndonjë veprim të caktuar politik. Edhe pse nuk dihet se çka do t’iu hynte në punë prokurorëve të huaj, nga vende të ndryshme të botës, ndonjë veprim i caktuar i Thaçit sa i përket politikës së brendshme.
Statusi i plotë:
Rrëzimi i qeverisë Kurti dhe mosrespektimi i Vjosa Osmanit si më e votuara në LDK në zgjedhjet e fundit, është përmbysje e rendit demokratik dhe shkelje e kushtetutës së Republikës Parlamentare.
Presidenti nuk mund të veprojë si mbret, ai edhe ashtu ka mungesë serioze të përfaqësimit të unitetit. Veprimet e tij janë antikushtetutese dhe jashtë interesit qytetarë e shtetëror.
Nuk mundet Thaçi të negociojë lirinë e tij me fatin e shtetit!
Jemi shumë,jemi bashkë, jemi në të drejtë dhe jemi të pathyeshëm në mbrojtjen e demokracisë, pavarësisë, territorit dhe kushtetutës së vendit.






















