Connect with us

Kosovë

Filozofi kosovar: Serbia e ka ndrequr imazhin në botë, Vuçiqi i ka dyert e hapura gjithkund

Publikuar

Filozofi Blerim Latifi ka bërë së fundi një status në profilin e tij në Facebook, e në të cilin ka deklaruar se testet që Serbia i ofroi Kosovës e që e paraqesin atë si bamirëse e humaniste, në fakt janë vetëm një pjesë e vogël e imazhit të përmirësuar në botë. 

Latifi konsideron se pranimi i testeve nga Serbia nuk i ndreq imazhin në botë këtij shteti armiqësor për shkak se ky imazh sipas tij tashmë është i ndrequr.

“Sepse imazhi i Serbisë në botë ka shumë vite që ka ndryshuar në favor të saj. Sot Serbia është shndërru në vend shumë atraktiv për investime të huaja kapitale, që vijnë nga kompani amerikane, ruse, kineze, turke e gjermane.” – shkruan ndër tjerash z.Latifi.

Ai ka kritikuar klasën politike të vendit se “është kurthuar” në sherret meskine për pak pushtet.

Së fundi, kryeministri në detyrë Kurti është kritikuar për pranimin e 1 mijë testeve nga Serbia – për të cilat shkruan shumë media ndërkombëtare duke e përmendur Serbinë për solidaritetin e bamirësinë e bërë.

Statusi i plotë: 

Nuk mund të pajtohem me pikëpamjen se ne me pranimin e testeve nga Serbia ia ndreqëm asaj imazhin në botë. Pse? Sepse imazhi i Serbisë në botë ka shumë vite që ka ndryshuar në favor të saj. Sot Serbia është shndërru në vend shumë atraktiv për investime të huaja kapitale, që vijnë nga kompani amerikane, ruse, kineze, turke e gjermane. Në Kosovë investimet e huaja serioze vazhdojnë të mbesin thjesht projeksione për të ardhmen. Vuçiqi i ka dyert e hapura gjithkund, askush nuk ia përmend më krimet e luftës, në fushën e integrimeve evropiane, Serbia është shumë para vendeve të tjera të rajonit dhe askush deri me sot nuk ka kërkuar që ajo ndëshkohet për fushatën e saj diplomatike kundër Kosovës. Madje as SHBA-ja. Ndërkaq, ne jemi kurthuar në sherret tona meskine për pak pushtet dhe mendojmë se bota ende vazhdon ta mendoj Serbinë me termat e vitit 1999. Me pak fjalë: neve na ka humbur rruga në oborr!

NA NDIQ NË FACEBOOK