Kosovë
Edhe një kosovar vdes nga koronavirusi

Një kosovar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vdekur pasi ishte infektuar me virusin COVID-19.
Lajmin e ka bërë të ditur familjari i tij, Haki Latifi përmes një njoftimi në Facebook.
“Me dhimbje e pikëllim të thellë njoftojmë farefisin, miqtë dhe dashamirët se pasi humbi betejën me COVID-19 në New Jersey të ShBA-së, ka ndërruar jetë në moshën 61 vjeçare SALAJDIN (XHEVAT) LATIFI – DALIPI (30.10.1959 – 19.04.2020) nga Pirana e Prizrenit”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Sipas statistikave të fundit, numri i viktimave të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 39 mijë e 115, ndërsa shifra e përgjithshme e të prekurve ka arritur në 741 mijë e 866 raste.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 51 raste të reja me koronavirus në Kosovë.
Numri total i rasteve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 561, me 102 të shëruar e 12 të vdekur.
Doktoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Arjeta Zogaj-Berisha, ka njoftuar në konferencën e rregullt për media, të hënën, se 53 pacientë me koronavirus janë të shtrinë në këtë repart, ndërkohë edhe shtatë të tjerë janë në pritje të rezultateve.
Sipas saj, 11 pacientë janë me oksigjeno-terapi në gjendje pak më të rëndë, kurse dy të tjerë janë të intubuar, pasi janë në gjendje kritike.
“Siç e dini, një prej këtyre dy pacientëve është një grua shtatzënë dhe një tjetër nga Prizreni. Gruaja shtatzënë është me parametra stabil. Vështirë është më u definu, derisa është e intubuar. Edhe bebja, sipas gjinekologëve, është mirë”, ka thënë Zogaj-Berisha


















