Lajme
Ditë historike për TVM2, filloi emetimi i programit 24 orësh në gjuhën shqipe

Misioni 53 vjeçar i Programit në gjuhën shqipe në Servisin Publik, në aspiratën e arritjes së programit të plotë 24 orësh, u bë realitet, pikërisht në datën e përvjetorit të fjalës së parë të gjuhës shqipe në eterin e medias në Maqedoninë e Veriut.
Për të gjithë ne, kjo është një arritje historike, bazuar në meritat e themelvënësve të të gjitha gjeneratave të të punësuarve në këto 53 vite, që është një përgjegjësi më shumë për gjeneratën aktuale të të punësuarve në realizimin e plotë të detyrës së Servisit Publik.
“Televizioni në gjuhën shqipe në Maqedoni është televizion i parë në tërë territoret shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe është folur këtu në Shkup, mandej janë hapur televizionet në Prishtinë dhe në Tiranë, dhe mu për këtë e vlerësoj si datë historike dhe me këtë plotësohet amaneti i atyre që kanë vënë gurthemelet në Radio Televizionin e Maqedonisë.”,- deklaroi drejtori i Servisit të Dytë Publik në gjuhën shqipe, Harun Ibahimi.
“Të punësuarit aktualë tashmë kanë misionin më të fortë të jetës së tyre, ta bëjnë këtë program, këtë Servis Publik ashtu si i takon këtij Servisi në misionin e edukimit, informimit dhe të zbavitjes.”,- tha kryeredaktorja e Servisit të Dytë Publik, Migena Gorenca.
Edhe Alush Kamberi – gazetari i parë televiziv në TVM2, e shikon këtë ditë si një fitore.
“Kjo është një fitore e madhe e cila vjen pas plot 5 dekadash, prej se ekziston redaksia shqipe në RTVM, nëse i kthehemi atyre viteve para 5 dekadash, do të ishte absurde se një ditë do të kemi program të pakufizuar 24 orë në hapësirën e televizionit, kjo vërtet është një fitore e madhe.”,- theksoi gazetari i parë televiziv në TVM2, Alush Kamberi.
Për të uruar fillimin e programit 24 orësh në gjuhën shqipe, Servisin e Dytë Publik e vizitoi kryeparlamentari Xhaferi dhe sekretari shtetëror në MIOA. Xhaferi theksoi se tani e tutje institucionet nuk duhet të distancohen nga obligimi institucional në mbështetje të Servisit Publik.
“Nuk do mend që institucioni është dashur të bëjë përgatitjet e duhura paraprake për të zbatuar programin e përgjithshëm sipas ligjit në procedurë, normal që është dashur të bëhet rritja e numrit të personelit, se çdo program i veçantë besoj 24 orë për të funksionuar nuk ka mundur të funksionojë me numrin e të punësuarve që ka pasur paraprakisht, nuk do mend që procedurat paraprake që kanë qenë rreth referendumit, rreth zgjedhjeve presidenciale, lokale, parlamentare, të gjitha këto kanë krijuar pengesa procedurale, por e mira e gjithë asaj është që së fundmi po arrijmë aty ku ka qenë caku. Sidoqoftë në këtë situatë të zymtë, të rënduar me pandemi, një lajm të mirë për qytetarët është e duhur të ketë.”,- theksoi kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Megjithatë, sfida e radhës për Servisin Publik do të jetë nevoja e zgjerimit të kapaciteteve profesionale.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTVM-së Harun Ibrahimi, thekson nevojën e rritjes së numrit të të punësuarve me zgjerimin e programit.
“Në kuadër të Radio Televizionit, shqiptarët janë të punësuar 20%, flas në përgjithësi, mirëpo gazetarë në TVM2 janë të punësuar diku mbi 33%, redaktorë janë mbi 45%, ky numër nuk është i mjaftueshëm, ne pasi kemi një Servis 24 orë, unë dhe pasardhësit e mi duhet të insistojnë që numri i të punësuarve të cilët prodhojnë program të jetë i barabartë me numrin e të punësuarve në TVM1.”,- tha drejtori i Servisit të Dytë Publik në gjuhën shqipe, Harun Ibahimi.
TVM2 pret punësime të shpejta, megjithatë sipas deklaratave, duket se punësime të reja mund të ketë vetëm pas zgjedhjeve vijuese parlamentare.
“Tash jemi në periudhë të jashtëzakonshme ku nuk mund të bëhen punësime, përveç nëse është diçka e patjetërsueshme, por normal pas zgjedhjeve që vijojnë do të kemi dhe buxhet të ri dhe vendime të reja për hapje të vendeve të punës. Për mbarëvajtjen dhe funksionimin e institucionit patjetër që do të plotësohen edhe ato vende që janë të patjetërsueshme për funksionimin 24 orë të programit në gjuhën shqipe.”,- u shpreh sekretari shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Adem Avziu.
Tashmë janë harmonizuar vendet e punës, analiza funksionale, sistematizimi i brendshëm, që javën që vjen pritet edhe të kalojë në këshillat drejtues të RTVM-së e më pas të marrë edhe dritë jeshile nga MIOA e të hyjë në fuqi.
Gjithsesi, programi i pandërprerë në shqip filloi. Tashmë mbetet që TVM2 të luftojë për të sjellë më shumë programe në eterin televiziv gjatë orëve të shtuara./TVM2/
Ditë historike për TVM2, filloi emetimi i programit 24 orësh në gjuhën shqipe
Gepostet von Televizioni i Maqedonisë – TVM2 am Donnerstag, 16. April 2020
















