Kosovë
Çka është “Kapja e Shtetit?” Analisti kosovar jep përgjigjjen briliante

Para tri ditësh, analisti i njohur Agon Maliqi ka bërë një postim me rastin e emërimit të katër anëtarëve të Vetëvendosjes në katër borde të ndërmarrjeve publike – një veprimtari kjo që Vetëvendosje e kishte kritikuar kur ishte bërë nga partitë e tjera.
Por, derisa denoncon nënkuptueshëm edhe kapjen e radhës të bordeve – kësaj here nga Vetëvendosje – z.Maliqi ka folur për “kulturën shoqërore të kapjes” së publikut, përcjell Periskopi.
Ai përmend ndër faktorët e kësaj kulture edhe ekonominë “me burime të kufizuara”, kulturën e munguar demokratike, padrejtësitë shoqërore të së kaluarës, ndërkohë që këtë kulturë e sheh të përhapur edhe në përditshmërinë tonë, në uzurpimin e tokave dhe trotuareve, te organizatat joqeveritare dhe natyrisht edhe te institucionet.
Ndryshe, Vetëvendosje së fundi është akuzuar nga kundërshtarët politikë edhe sa i përket punësimeve dhe emërimeve tjera në qeveri. /Periskopi
Statusi i plotë:
Kapja e asaj që është publike në kontekstin tonë shkon shumë më thellë se filmi bardh e zi të cilin e kanë ndërtuar opozitarët e deridjeshëm ku gjithçka i faturohej një krahu politik. Kapja është rezultat i:
1) Ekonomisë me burime të kufizuara dhe rolit përcaktues të shtetit në shpërndarjen e tyre.
2) Kulturës së mangët demokratike që stimulon sjellje predatore/kapëse dhe;
3) Zinxhirit të padrejtësive shoqërore të pazgjidhura të së shkuarës, ku secili e arsyeton kapjën e tij si korrigjim ndaj diskriminimit dhe kapjes paraprake. Psh. kapjet e këtyre të luftës shpesh arsyetoheshin si korrigjim i diskriminimit në periudhën e Jugosllavisë apo më vonë edhe të LDK-së.
Kultura e kapjes shpërfaqet prej uzurpuesve të trotuareve dhe tokave, vazhdon me kapësit e sofistikuar të shoqërisë civile, dhe natyrisht përfundon në nivele politike me kapje të institucioneve. Disa kanë kapur më shumë sepse kanë pasur pushtet më shumë (mundësi për të kapur).
Kapjen nuk e solli askush, ajo ishte këtu mes nesh dhe do të mbetet mes nesh për sa kohë që nuk e shohim dhe trajtojmë siç duhet, e jo si diçka që ekziston vetëm në politikë.






















