Kosovë
Buja: Ne nuk jemi kafshë, masat e sotme janë të tepërta

Pas masave të reja e të ashpra të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Komiteti për Emergjenca i drejtuar nga ministri Arben Vitia, kanë shpërthyer reagimet kundërshtuese në rrjetet sociale të Internetit. Edhe opinionisti dhe redaktori i Periskopit, Jetlir Buja, i ka cilësuar këto masa si “të tepërta”.
Z.Buja ka nënkuptuar se këto masa e politizojnë edhe më shumë luftën kundër përhapjes së koronavirusit, dhe se ato përbëjnë shkelje drastike të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Ai ka kritikuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Thaçi se kishin garuar politikisht përgjatë kësaj kohe të ndjeshme për qytetarët.
“Masat e sotme janë të tepërta. Gjendja e Jashtëzakonshme po ashtu do të ishte e tepërt. Masat e derisotme ishin ok sepse s’jemi vatër e krizës.” – shkruan ai.
Z.Buja po ashtu ka kërkuar një ndjeshmëri më të lartë nga qytetarët për lirinë e tyre.
Statusi i plotë:
Tash e një muaj, kryeministri dhe presidenti garuan se cili po na i shkilte më keq të drejtat dhe liritë tona – në emër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit. Në mënyrë që ta merrnin gjithë vëmendjen për vete. Në mënyrë që të bëheshin protagonistë të këtij tregimi.
Masat e sotme janë të tepërta. Gjendja e Jashtëzakonshme po ashtu do të ishte e tepërt. Masat e derisotme ishin ok sepse s’jemi vatër e krizës.
Ajo që shihet qartë është mungesa e plotë e ndjeshmërisë për LIRINË. Ne s’jemi thjesht trupa të infektueshëm. S’jemi kafshë. Jemi bartës të drejtash e lirish.




















