Kosovë
As Thaçi e as Kurti: Latifi tregon se kush e ndau Veriun e Kosovës?

Një debat i ashpër është hapur ditët e fundit në opinionin tonë e në të cilin pak-a-shumë shpallet fajtori i ndarjes së Mitrovicës. Vetëvendosje ka akuzuar presidentin Thaçi dhe të tjerë, ndërsa së fundi pas mos-veprimit të Qeverisë Kurti ndaj karantinimit serb të dy komunave veriore, është akuzuar kryeministri në detyrë.
Por, filozofi Blerim Latifi deklaron se as z.Thaçi e as z.Kurti nuk e ndanë veriun në vitet 1999, dhe 2020 respektivisht.
Ai këto deklarime i konsideron “pallavra partiake” të cilat qëllimin e vetëm e kanë që të marrin vota në zgjedhjet e ardhshme elektorale, e që pritet të jenë të parakohshme, shkruan Periskopi.
Z.Latifi ka një shpjegim tjetër sa i përket ndarjes së Veriut, e që lidhet me zbrazjen e Kosovës nga civilët serbë pikërisht në vitin 1999.
Procesi i integrimit të komunitetit serb ka qenë pjesë themelore e projektit për shtetësinë e Kosovën.
Më poshtë e keni statusin e plotë të z.Latifi:
Derisa ushtria serbe po bëhej gati të largohej nga Kosova në qershorin e vitit 1999, NATO po përballej me kritika të ashpra, në të cilat akuzohej se derisa e kishte ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve, nuk po bënte asgjë për të ndaluar zbrazjen e Kosovës nga civilët serbë, të cilët, nga frika e hakmarrjes shqiptare, po iknin bashkë me ushtrinë e tyre. Si pasojë e kësaj situate u krijua zona e mbrojtur e veriut që fillonte në urën mbi Ibër në Mitrovicë. Këtë zonë pastaj e shfrytëzoi Beogradi për të vendosur aty strukturat e tij paralele, të cilat kishin një mision të vetëm : kontestimin e autoritetit të Prishtinës me të gjitha mjetet. Kjo është e gjithë e vërteta, ndërsa tregimet se Hashimi e ndau veriun në vitin 1999 dhe Albini në vitin 2020, nuk janë asgjë më shumë se pallavra partiake, që bëhen thjesht për llogari elektorale.





















