Connect with us

Kosovë

AAK-ja thotë se është e gatshme të hyjë në Qeveri me LDK-në, Nisma ende pa qendrim

Publikuar

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka dërguar emrin për mandatarin pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Presidenti, Hashim Thaçi – shkruan Periskopi.

Meqenëse LVV nuk po e bën asnjë hap në këtë drejtim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar përgatitjet e para për koalicionin e ri qeverisës.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa e ka kërkuar miratimin nga Këshili i Përgjithshëm për një koalicion me AAK’në, Nismën, AKR’në dhe komunitetet joshumicë.

Sipas Mustafës, ky koalicion do të bëhet nëse shterren rrugët kushtetuese me partinë e parë që ka dalë nga zgjedhjet.

“Unë kam iniciuar marrjen në parim të pajtueshmërisë nga Këshilli i përgjithshëm për një koalicion qeverisës me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë e komuniteteve jo shumicë, në rast se pas shterjes së rrugëve kushtetuese me partinë fituese relative të zgjedhjeve,  LVV, i ofrohet mandati LDK-së, si pari e dytë”, ka deklaruar ai.

Deputeti Rasim Selmanaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaron se janë të gatshëm të kontribuojnë në themelimin e institucioneve të reja.

‘’Qëndrimi ynë është që nuk do të bëhemi pengesë në krijimin e institucioneve edhe për shkak të rrethanave në të cilat është Kosova. Kështu që, ne, do të jemi ndihmesë për me i kriju institucionet’’, tha Selmanaj.

Tutje, Selmanaj shton se AAK nuk do të ketë kandidat për kryeministër.

‘’Lideri ynë, Ramush Haradinaj as vet personalisht nuk do të kandidoj për KM, andaj as ne nuk do të kemi kandidat për kryeministër’’, përfundon Selmanaj për Periskopin.

Ndërsa, nga Nisma Socialdemokrate në një përgjigje për Periskopin kanë deklaruar se janë të rezervuar sa i përket kësaj teme.

LDK vendosi ta çojë në Kuvend mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë Kurti. Kjo erdhi pas shkarkimit të Ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe si arsyetim ishte se kryeministri kishte rrezikuar aleancën e vendit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Më 25 mars, në një seancë të gjatë të Kuvendit të Kosovës, deputetët me 85 vota rrëzuan Qeverinë e Kosovës.

Aktualisht, Kosova përpos që po përballet me pandeminë COVID-19 dhe me kaosin politik, po përballet edhe me probleme të mëdha ekonomike./Periskopi//Z.R/

 

NA NDIQ NË FACEBOOK