Kosovë
1 muaj i plotë i Kosovës me Koronavirus: Gjithçka që ndodhi prej 13 mars e deri më 13 prill
Sot mbushet një muaj i plotë prej që u shënuan rastet e para me koronavirus në Kosovë, e po ashtu u morën edhe masat e para restriktive nga Qeveria.
362 qytetarë të Kosovës deri tash janë konfirmuar me Covid-19, 7 prej të cilëve për fat të keq kanë vdekur. Por, çka ndodhi gjatë kësaj periudhe njëmujore kohe dhe si shkoi trajektorja, mësojeni ekskluzivisht në Periskopi.com.
13 mars 2020, ora 16:00 | Kryeministri Albin Kurti mban një takim dyorësh me presidentin Hashim Thaçi. Ky takim ishte raportuar se kishte shkuar mirë, ndërkohë që ishte ndërprerë nga një thirrje telefonike që e kishte pranuar kryeministri Kurti: koronavirusi kishte mbërritur në vendin tonë. Ishte i 13-i dhe e premte, dhe bestytnia – e thënë edhe me gojën e kryeministrit Kurti – qëlloi në shenjë: As Kosova nuk i shpëtoi këtij taksirati.
13 mars 2020, ora 18:00 | Ministri i Shëndetësisë, Dr.Arben Vitia, njoftoi në konferencë për media se dy teste nga pesëmbëdhjetë sosh kishin rezultuar pozitive. Një plak nga Vitia dhe një italiane e re nga Klina u bënë pacientët e parë me këtë sëmundje infektive.
13 mars 2020, rreth orës 19:00 | Kryeministri Kurti i shpall luftë përhapjes së Covid-19shit duke aprovuar masat e propozuara nga Komiteti për Emergjenca, që udhëhiqej nga Ministria e Shëndetësisë. Do të mbylleshin menjëherë kafenetë, baret, restorantet, e dyqanet me artikuj joesencialë. Qytetarëve iu bëri apel që të rrinin në shtëpi.
14 mars 2020, rreth orës 14:30 | Ministri Arben Vitia konfirmon edhe tri raste pozitive me Covid-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në pesë. Qytetarët zbatojnë kënaqshëm masat e ndërmarra nga Qeveria dhe rrinë të ngujuar në shtëpi.
16 mars 2020, rreth orës 16:00 | Konfirmohen edhe dy raste të tjera, duke bërë që numri i përgjithshëm të shkojë në 7. Megjithatë, qytetarët dalëngadalë e tretin panikun duke parë që nuk kishte shpërthim rastesh si në vendet e tjera. Raportohen shumë lëvizje nëpër rrugë e sheshe, pikniqe në Gërmi e Park të Qytetit në Prishtinë, pushime në Prevallë e Brezovicë, e të tjera.
17 mars 2020, rreth orës 1 pas mesnate | Konfirmohet edhe një rast me koronavirus, por megjithëse numri shkoi vetëm në 8 gjithsej, një qytetar i vendit kishte më së shumti frikë, kryeministri Albin Kurti.
18 mars 2020, nuk dihet ora | Ani që shumë pak testime po bëheshin shkaku i kapacitetit të vogël të Kosovës, dhe për më keq pa testuar kishin mbetur edhe punëtorët e Emergjencës në Viti me të cilët kishte pasur kontakt direkt një i infektuar – testimin e kishte kryer kryeministri Albin Kurti bashkë me gjithë stafin e tij.
18 mars 2020, pasdite | Kryeministri Kurti me një vendim të papritur shkarkon ministrin e tij të Punëve të Brendshme, z.Agim Veliu – pas një deklarate që gjoja se përhapte panik për koronavirusin ndër qytetarë. Qytetarët u panikuan pikërisht nga mundësia reale që të rrëzohej qeveria, pasi tashmë ishte shkelur Marrëveshja për Bashkëqeverisje.
18 mars – 25 mars, orët e mbrëmjes | Vetëvendosje organizon protestë simbolike duke i shtyrë qytetarët që të godisnin tenxheret dhe fërteret e tyre si kërkesë për mos-rrëzimin e Qeverisë.
Në fakt, kjo nisi më herët dhe po bëhej si shenjë mirënjohjeje e përshëndetjeje për mjekët dhe infermierët e vendit tonë.
19 mars 2020, pasdite | LDK vendos të çojë në Kuvend mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë Kurti. E quan të papranueshëm shkarkimin e Veliut dhe po ashtu thotë se kryeministri kishte rrezikuar aleancën e vendit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Koronavirusi mbeti në plan të dytë.
24 mars 2020 | Qeveria e Kosovës ndalon qarkullimin për qytetarë prej orës 10 të mëngjesit e deri në 4 pasdite, dhe prej 8 pasdite e deri në orën 6 të mëngjesit. Kjo masë u cilësua si jokushtetuese dhe e papërgjegjshme sepse krijonte mundësinë e fluksit të qytetarëve në orët kur qarkullimi ishte i lejueshëm.
25 mars 2020, gjithë ditën | Në një seancë të gjatë të Kuvendit të Kosovës, deputetët pasi folën mirë e mirë, vendosën që me 85 vota për ta rrëzonin qeverinë e Kosovës. Vetëvendosje do të gjykonte moralisht një veprim të tillë, duke thënë se nuk duhej të rrëzohej qeveria në kohë pandemie.
26 mars 2020, pas mesnate | Shkarkohet zv.kryeministri i parë i Qeverisë Kurti, Avdullah Hoti, pa u dhënë asnjë arsye.
26 mars 2020, e tutje | Nisi një fushatë e egër në rrjetet sociale kundër figurave të larta të Lidhjes Demokratike nga ana e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk u kursye as kryetari Isa Mustafa, por as z.Avdullah Hoti. E nuk u kursye as i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e as ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.
27 mars 2020 | Duke parë se kryeministri Kurti për qëllime elektorale po vazhdonte ta polarizonte vendin duke thënë se “kishte marrëveshje sekrete mes Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territorial”, ShBA e përgënjeshtroi një gjë të tillë përmes Richard Grenellit, Matthew Palmerit dhe Philip Kosnettit. Ata e thanë troç e qartë: “Nuk ka një marrëveshje të tillë”.
27 mars 2020 | Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tregon se në Kosovë ishin 79 raste të konfirmuara me koronavirus.
28 mars 2020 | Qeveria tashmë në detyrë ndryshon orarin e ndalimit të qarkullimit, duke e bërë thjesht prej orës 5 të mbrëmjes e deri në 6 të mëngjesit. Sidoqoftë, edhe kjo masë cilësohej si jo-kushtetuese dhe ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti Hashim Thaçi.
31 mars 2020 | Vendi nuk ndodhej më vetëm në krizë politike, shëndetësore e ekonomike. Ai hyri edhe në një krizë kushtetuese pasi Gjykata Kushtetuese e cilësoi si anti-kushtetues vendimin e Qeverisë Kurti për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve.
4 prill 2020 | Dy komunat me shumicë serbe në Kosovë ishin futur në karantinë pas rasteve të para me Covid-19. Por, këtë gjë nuk e kishte bërë Qeveria Kurti – që i jepte zor të madh sa ishte në opozitë me kauza të ndryshme nacionaliste. U raportua se shumë mjekë nga Serbia kishin qenë në këto dy komuna, ndërkohë që sovraniteti i Kosovës rrudhej e rrudhej. Kriza politike, shëndetësore, ekonomike e kushtetuese u rrit edhe me një krizë edhe më të thelluar sovraniteti.
12 prill 2020 | U konfirmuan për një ditë të vetme 79 raste me koronavirus. Kina e 1,5 miliardë banorëve ndërkohë, i kishte pasur vetëm 20 raste më shumë se Kosova, 99.




















