Kosovë
Vetëvendosje shpërfill Agim Bahtirin pas kërcënimit të këtij të fundit për “vëllavrasje”

Kryetari i Komunës së Mitrovicës ka acaruar edhe më tej opinionin në Kosovë duke kërcënuar me “vëllavrasje” nëse zgjidhej një qeveri tjetër pa shkuar në zgjedhje të reja.
Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për bisedime me partitë politike tjera në vend, e ato të LDK’së që mund të krijojnë një qeveri të re me AAK-në e Nismën, nuk i kanë pëlqyer kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit.
“Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe sot ia tregojmë secilit vendit. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me lëshu me na vjedh dikush pushtetin, qytetarët na kanë dhanë deri të na japin prapë do të jemi aty. Unë po i frikësohem asaj sepse populli është shumë i revoltuar. I bëjë thirrje presidentit që të ketë kujdes në këtë drejtim dhe ti shpallë zgjedhjet..”, ka thënë Bahtiri, duke deklaruar se në Kuvend në zgjedhjet e ardhshme kjo parti do t’i ketë 46 deputetë.
Ndërkohë, partia e Albin Kurtit ka folur shkurtimisht për Express z.Arlind Manxhuka, por i cili nuk është distancuar nga këto deklarata nxitëse të Albin Kurtit.
Ai thjesht shpërfill Agim Bahtirin duke thënë se aktualisht po merren me situatën e pandemisë, dhe se më pas do të duhej të shkohej në zgjedhje të rejaa.
“Aktualisht jemi duke u marr në mënyrë të plotë me Pandeminë Covid19 dhe posa ky virus të largohet e të rikthehet normaliteti, në përputhje me Kushtetutën të shkohet në zgjedhje të reja sic kemi deklaruar edhe ditë më parë. Nuk kemi nevojë për asnjë konflikt, së bashku me qytetarët e vendit, me disiplinën tonë të përbashkët, do ta kalojmë edhe pandeminë edhe secilin problem tjetër”, ka shtuar ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci sot ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë.






















