Connect with us

Lajme

Top Channel fiton gjyqin për shpifje ndaj “Syrit” të Çim Pekës

Publikuar

Top Channel ka fituar një betejë ligjore kundër portalit të cilin e kishte paditur për shpifje.

Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë në kërkesën e palëve paditëse, në këtë rast televizionin Top Channel, duke konstatuar shkaktimin e dëmit jopasuror ndaj shoqërisë paditëse Top Channel sh.a., i njohur si një televizion kombëtar.

Kjo Gjykatë detyroi palën e paditur, “Qendra për Informim të Hapur”, pronare e domenit Syri.net. të publikojë me shpenzimet e saj një deklaratë përgënjeshtruese të lajmit në faqen zyrtare web të Syri.net, pasi vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë.

Artikulli i botuar nga portali Syri ishte i pabazuar në prova, ku thuhej se “drejtuesit e Top Channel i kishin vendosur gjobë biznesit CFO Pharma, duke i kërkuar një shumë prej 200 mijë eurosh”.

Dhe për ta bërë më të besueshëm për publikun, portali Syri publikoi një letër fiktive për t’i treguar publikut se gjoba ishte kërkuar me shkresë, njofton Klan Kosova.

Në letër ishte kërkesa për informacion, e dërguar ndaj disa kompanive, lidhur me një investigim të emisionit Top Story, çka u interpretua nga portali i Çim Pekës si një gjobëvënie.

Nga sqarimi i vetë televizionit, emisioni nuk mori asnjë përgjigje, megjithatë dokumentari u transmetua duke mos shfaqur asnjë emër kompanie.

Vetë pronari i CFO Pharma ka dërguar një letër ku kërkon ndjesë publike për konfliktin me Top Channel.

Ndërkohë, portalet tjera e riprodhuan lajmin e rremë, duke e kopjuar nga portali Syri.

Vetëm në harkun e dy viteve Syri dhe portalet e tjera kanë publikuar mbi 200 artikuj sulmues kundër Top Channel.

Kjo ka detyruar drejtuesit që t’i drejtohen organeve përkatëse. E sikur të mos mjaftonin këto, mes personave që i është bashkuar betejës është edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili poston mesatarisht një shkrim në ditë lidhur me këtë përballje sa ligjore po aq edhe mediatike.

 

Artikulli problematik

Blushi me bllok në dorë, 4 kompani gjobë nga “TCH” me nga 200 mijë euro “reklamë”

NA NDIQ NË FACEBOOK