Connect with us

Kosovë

Shtetet që do t’ia tërhiqnin njohjen Serbisë: Çka është Reciprociteti politik me Serbinë?

Publikuar

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur për tarifën dhe reciprocitetin po vazhdon, e ndërkohë që ministri serb i Punëve të Jashtme ka udhëtuar drejt kontinentit afrikan për të siguruar një tjetër çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Kosova do të pezullonte gradualisht tarifën ndaj Serbisë, filluar me 15 mars ndaj produkteve të lëndës së parë dhe përfunduar me 1 prill – për të zgjatur më pas për një periudhë 90 ditore.

Kjo është ajo që premtoi kryeministri Kurti në konferencën për shtyp të së enjtes, dhe që e përsëriti edhe sot.

Ai tha se tarifa do të pezullohej krejtësisht më 1 prill, ditën e rrenave, nëse Serbia nuk do vazhdonte fushatën e saj agresive të çnjohjeve kundër Republikës së Kosovës.

Por, derisa pushtetarë e opozitarë vazhdojnë të na shurdhojnë me pallavra të politikës ditore, shefi i diplomacisë serbe ka marrë rrugë drejt Afrikës. Ashtu siç nuk pyeti pushtetarët e djeshëm, Daçiq nuk po pyet as pushtetarët e sotëm.

Daçiq paralajmëroi një tjetër çnjohje për Pavarësinë e Kosovës – dhe thjesht një veprim i tillë do të duhej që ta bënte Kurtin që të mos pezullonte tarifën as më 15 mars e as më 1 prill. Fundja, një gjë të tillë vetë e kishte premtuar dhe fushata agresive e Serbisë është krejtësisht e dukshme para syve të tillë.

Por jo. Një gjë e tillë nuk do të ndodh. Dhe ashtu siç kishte parashikuar Periskopi, se Reciprociteti nuk do të vendosej para se të hiqej tarifa – sipas pretimit parazgjedhor, zgjedhor e paszgjedhor – ky Reciprocitet në fakt zor që do të vendoset ndonjëherë.

Sot u përmend pikërisht reciprociteti politik me Serbinë. Enver Hoxhaj, ish ministër i jashtëm, deklaroi se për ta bërë reciprocitetin politik do të duhej që Kuvendi të dilte me një deklaratë ku tregonte se Kosova nuk e njihte pavarësinë e Serbisë.

Në fakt, nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Kosova nuk e njeh Serbinë me kushtetutën që e ka dhe me territorin që ia jep ajo kushtetutë. Por, reciprociteti i plotë politik do të duhej të implementohej me një mobilizim në politikën e jashtme për tërheqje të njohjeve ndaj Republikës së Serbisë.

E kush do ta dëgjonte Kosovën për një veprim të tillë? As ShBA-ja, as Mbretëria e Bashkuar, as Franca, e as Gjermania. Bile bile, as Shqipëria – që do të mund të izolohej ndërkombëtarisht.

E vërteta është se Serbia po tregohet më e fortë ndaj Kosovës për të mbrojtur qoftë vetëm 2 për qind të eksportit të përgjithshëm të saj – e që u ndal për shkak të tarifës. Ndërkohë që Kosova megjithëse ka kauza pakrahasimisht më të forta aktualisht ndodhet në pozicion tepër të vështirë.

Partia e vetme që refuzonte dikur kategorikisht të ulej në negociata me Serbinë po përpiqet ta bindë pikërisht Serbinë që të ulet në negociata me Kosovën.

Kësisoj, nuk do të ketë as reciprocitet tregtar, as ekonomik e as politik. Për dy të parat, Periskopi ka shkruar më herët pamundësinë që rezulton nga kapacitetet e dobëta inspektoriale e laboratorike, e po ashtu edhe për shkak të barrierave jo-tarifore serbe që janë shumë shpesh të çrregullta – ashtu siç kishte gjetur më herët në një raport Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

NA NDIQ NË FACEBOOK