Connect with us

Kosovë

Shpjegimi fëmijëror i deputet Bajqinovcit të VV-së për prishjen eventuale të Kosovës me Amerikën

Publikuar

“Mos vjedh, mos mashtro e mos rrej,” është imperativi bazik e i thjeshtë që shtrohet nëpër shumicën e familjeve tona për fëmijët e tyre. Dhe bash një moral të tillë provon ta fus në mënyrë fëmijërore deputeti Bajqinovci në botën e ndërlikuar të politikës.  

“Duke vjedhë, mashtru, gënjy, nuk mund të jesh pro-amerikan.” – deklaroi z.Bajqinovci pas një grumbulli fjalish të tjera naive në të cilat operohej me spekulime të pabazuara.

Retorika populiste nuk është një gjë e re nga qeveria Kurti, që është munduar vazhdimisht të thjeshtojë problemet në politikën tonë, duke maskuar kështu edhe problemet e saj.

Së fundi, qeveria Kurti rrezikon seriozisht rrezikimin e raporteve historikisht të mira të Kosovës me ShBA-në, por jo të gjithë po mashtrohen nga retorika populiste e tyre. Ka shumë kritikë që janë kundër një qasjeje të tillë armiqësore me shtetin që ka meritat më të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, shkruan Periskopi.

E Bajqinovci është munduar që pikërisht këtyre kritikëve t’iu përgjigjet, duke thënë ndër tjerash edhe se heqja e tarifës ishte kërkuar së pari prej tyre, dhe madje para zgjedhjeve. Por, ai harron të përmend – duke u munduar të thjeshtojë sa më shumë – se ata kanë premtuar EDHE reciprocitetin e plotë.

Bajqinovci, që ishte gazetar i KTV-së dhe e moderonte një emision politiko-mjekësor PULS, ka akuzuar presidentin Thaçi se po provon përmes një qasjeje anarkiste të marrë përgjegjësi që nuk i takojnë.

Nejse. Tash po iu lëmë me statusin e tij në Facebook, e të cilin nuk e redaktuam nga gabimet drejtshkrimore e logjike, gjë për të cilën kërkojmë falje:

Kemi thënë të parët se do ta heqim tarifën. Para zgjedhjeve. Të parët. Kur kjo mund të të kushtonte eventualisht me vota. Nuk po e mashtrojmë askënd. Pra as popullin tonë, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kritik dhe të pazëvendësueshëm të Republikës së Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Forma se si dhe kur duhet të hiqet kjo tarifë, është çështje e Qeverisë.

Kosova nën qeverisjen Kurti, nuk do të rrezikohet dhe kurr nuk do të shkojë në kursin e tensionimit me SHBA’të. Ata që po e presin këtë, do të zhgënjehen, sikurse në rastin e formimit të Qeverisë.

Kosova dhe rendi i saj kushtetues, sfidohet nga veprimet kundërkushtetuese e kundërligjore të Presidentit të Republikës. Qasjet e tij anarkiste duke marrë përgjegjësi të cilat nuk i takojnë, përveç se e sfidojnë rendin kushtetues, ka ndikuar në debalancimin dhe çarjen në politikën e jashtme të vendit tonë, e cila, pastaj po përcillet me pasoja për vendin.

Kosova është republikë parlamentare ku pushtetin ekzekutiv, pjesë thelbësore e të cilit është politika e jashtme e vendit, e ku këtë të fundit përgjegjës për formulimin, propozimin dhe zbatimin e saj, është Qeveria e vendit pasi e njëjta politikë të aprovohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Presidenti i Republikës e përfaqëson politikën e jashtme të shtetit tonë, vetëm atë që tashmë është krijuar dhe aprovuar nga Qeveria dhe Kuvendi. Kur një ndryshim eventual i kësaj politike, nënkupton cfarëdo riorganizimi territorial, institucional apo të rirregullimeve tjera, sado të vogla apo të mëdha qofshin, Presidenti nuk guxon të ushtrojë kurfarë lloj pushteti në këtë drejtim.

Prandaj, është e pandershme, e pamoralshme dhe e padrejtë nga kushdo qoftë prej skenës politike e mediatike në Kosovë, të fajësojë Qeverinë dhe kryeministrin për debatet e tilla, kur është Presidenti i Republikës së Kosovës, ai, cili dëshiron të kalojë mbi Kushtetutën, Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbi tërë vlerat e rendit juridik që e kemi krijuar nga 2008 e tutje.

Kosova ka Qeveri legjitime, të pastër të pa korruptuar të përkushtuar jetësisht për rend dhe ligj në këtë vend. Pra, është Qeveri properendimore, thellësisht e përkushtuar për partneritet me SHBA. Duke vjedhë, mashtru, gënjy, nuk mund të jesh proamerikan. Ne nuk e mashtrojmë asnjëherë Amerikën. As nuk luajmë me ta.

NA NDIQ NË FACEBOOK