Connect with us

Kosovë

‘Seksi’ në Kuvend: 6 Rastet tronditëse kur u përdhos institucioni më i shenjtë në Kosovë

Publikuar

Periskopi sot raportoi mbi disa video-inçizime të shkëputura nga një seancë e Kuvendit të Kosovës që ishte mbajtur gjatë këtij muaji, e ku dëgjoheshin zëra të çuditshëm mesa duket pas veprimeve të ndryshme seksuale. Por, Kuvendi i Kosovës – që është institucioni më i rëndësishëm në çdo shtet që është Demokraci Parlamentare – ka–përjetuar edhe momente të tjera më të rënda.

Kjo është Legjislatura e VII në Kuvendin e Kosovës, dhe udhëhiqet nga znj.Vjosa Osmani – e cila doli e dyta në kandidaturën e saj për kryeministre të vendit.

Por, as tash njëlloj si asnjëherë tjetër, nuk janë ndalur veprimet tmerruese që sulmonin shenjtërinë e Kuvendit të Kosovës. Periskopi liston më poshtë rastet më të rënda të përdhosjes së tij:

1.Pazaret e hapura politike

Në disa raste, kemi pasur pazare të hapura politike ndërmjet partive dhe deputetëve në mënyrë që këta të fundit të votonin projektligje të caktuara të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në këmbim të votës, ishin përmendur favore të tilla si punësim familjarësh, terminale doganore dhe të tjera.

Temat për të cilat kjo dukuri ishte përmendur, ishin: Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Demarkacioni me Malin e Zi,  Buxheti për disa vite të ndryshme, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, etj.

2.Gazi lotsjellës

Deputetë të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismas e kishin mbajtur peng fatin e vendit dhe e kishin dhunuar Kuvendin duke hedhur gaz lotsjellës gjatë kohës së tyre të përbashkët në opozitë.

Duke qenë se nuk kishin numrat e mjaftueshëm për ta penguar në mënyrë demokratike, ata e pengonin ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi – që e konsideronin të dëmshëm për vendin në atë kohë – përmes këtij veprimi të dhunshëm.

Për ironi, ishte pikërisht Ramush Haradinaj (AAK) që me votat e partisë së tij – gjatë kohës së tij si kryeministër – e ratifikoi demarkacionin ndërsa po ashtu për ironi, ishte pikërisht gjatë kohës së Albin Kurtit (VV)  si kryeministër që Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi dhanë dorëheqje nga komisioni qeveritar për korrigjimin e tij.

3.Granatimi i Kuvendit

Ishte viti 2016 kur ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u qëllua me një granatë dore. Përgjegjësinë për rastin – nga një e-mail i dërguar nga një adresë e panjohur – e kishin marrë të ashtuquajturit “Rugovasit”.

Gjashtë aktivistë ishin gjykuar e madje edhe dënuar për këtë rast, i cili tashmë ka shkuar në Gjykatën e Apelit.

4.Ofendimet mes deputetëve

Që nga koha e Pavarësisë e këndej, deputetët e Kuvendit nuk kanë kursyer akuzat dhe kundër-akuzat ndaj njëri-tjetrit por edhe ofendimet e ulëta dhe gjuhën urrejtëse e mos-duruese.

Për këtë rast nuk po shkëpusim asnjë rast të veçantë, sepse rastet janë të panumërta dhe nuk duam të veçojmë deputetët e një partie a tjetrës. Vetë qytetari le të gjykojë se kush e sulmoi institucionin tonë të shenjtë më shumë me këtë  gjuhë të papranueshme.

5.Abuzimi për të bërë fushatë elektorale

Kosova ka harruar se kur ka mbajtur zgjedhje të përgjithshme të rregullta. Kjo ka bërë që deputetët e Kuvendit të rrinin shumicën e kohës gati për të bërë fushatë, duke mbajtur kësisoj fjalime acaruese që ishte e qartë se për qëllim kishin të merrnin votat e qytetarëve.

Fjalimet jopërmbajtësore dhe të papërgjegjshme politike dëmtuan rëndë Kuvendin e Kosovës. Në vend të angazhimit si ligjbërës dhe në monitorimin e punës së Ekzekutivit, Kuvendi u bë një arenë ku partitë politike – të gjitha pa përjashtim – bënin fushatë elektorale pa pagesë.

6.Klithmat ‘seksuale’

Për t’i vënë kulmin abuzimeve me Kuvendin u përkujdes një (ose dy) përkthyese nga gjuha turke në atë shqipe. Gjatë kohës sa po përkthente, njëra përkthyese papritmas filloi të lëshonte zëra që dukeshin si reaksione nga veprimet apo ndërveprimet e saj seksuale. Pas disa sekondash, merr përkthimin një zë tjetër (nëse jo një grua tjetër) dhe e cila po ashtu vazhdon të lëshojë zëra ‘seksualë’. /Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK