Connect with us

Kosovë

Reagon ashpër Latifi pas çnjohjes nga Sierra Leone: Çka i duhej Kosovës kjo?

Publikuar

Edhe profesori i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi, ka reaguar pas tërheqjes së njohjes nga Sierra Leone – dhe e cila u njoftua sot në mëngjes nga shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Z.Latifi beson që shteti i Kosovës ka bërë gabim të madh “strategjik” në orientimin e politikës së njohjeve drejt shteteve të vogla. Në fakt, nuk ka asnjë evidencë se shteti ynë ka bërë një strategji të tillë, ndërkohë që dihet se për shumë prej njohjeve kontribut madhor kanë pasur shtetet tona aleate, e në veçanti ShBA-të.

Ai më tej shton se rritja e numrit formal të njohjeve nuk përmirësoi statusin tynë në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve, përcjell Periskopi.

“Nuk është dashur shumë mend për të kuptuar naivitetin e këtij mendimi, sepse dihet fare qartë se edhe nëse do të na njihnin të gjitha shtetet e vogla në Afrikë, Azi, e Amerikë Latine, gjëndja jonë nuk do të ndryshonte për të mirë.” – thotë ish këshilltari i Kadri Veselit.

Në fakt, dihet gjerësisht se qëndrimi i shteteve të mëdha e të fuqishme që nuk njihnin Kosovën ishte më i palëkundshëm se sa ai i shteteve të vogla, ndërsa nuk dihet nëse z.Latifi po sugjeron që Kosova thjesht të dorëzohej në luftën diplomatike me Serbinë.

Ai e quan përpjekjen kosovare për njohje si “vetëmashtrim” duke mos propozuar asnjë alternativë se si do të duhej të bëhej strategjia diplomatike.

Më poshtë e keni statusin e plotë të tij në Facebook:

Shteti ynë ka bërë një gabim të madh strategjik duke e orientuar politikën e njohjeve drejt shteteve të vogla. Kemi menduar se duke e rritur numrin formal të njohjeve, vetvetiu do të përmirësohet edhe statusi ynë në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve. Nuk është dashur shumë mend për të kuptuar naivitetin e këtij mendimi, sepse dihet fare qartë se edhe nëse do të na njihnin të gjitha shtetet e vogla në Afrikë, Azi, e Amerikë Latine, gjëndja jonë nuk do të ndryshonte për të mirë. Barrierat tona qëndrojnë diku tjetër : tek fuqitë e mëdha, si Rusia, Kina, India, Brazili dhe pesë shtetet e Bashkimit Europian të cilat vazhdojnë të këmbëngulin në mosnjohjen e Kosovës. Prandaj, është dashur qëmoti të hiqnim dorë nga vetmashtrimi me njohjet e vogla, të cilat, për më tepër, na janë kthyer bumerang nga interferimi diplomatik i Serbisë. Çnjohja nga Sierra Leone është më e fundit në këtë histori të gabimeve trashanike të diplomacisë kosovare.

NA NDIQ NË FACEBOOK