Lajme
Rama jep lajmin e mirë: Nga e hëna kthejmë falas me ‘Lasgushin’ shqiptarët në atdhe, nesër del kalendari i pikave të kthimit

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se nga e hëna e javës që vjen do të nisë riatdhesimi i të gjithë shqiptarëve që kanë ngelur nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe kërkojnë të kthehen në Shqipëri. Rama tha se riatdhesimi do të kryehet me lista vendodhjesh për t’i grumbulluar të gjithë. Më shumë ka në Itali, Britani, Kroaci, Greqi e Gjermani, por kryeministri tha se për çdo vend do të kryehet një mision shtetëror. E gjitha, falas nga avioni “Lasgush” i kompanisë shqiptare “Air Albania”.
“Javën e ardhshme nis riatdhesimi i atyre që kanë ngelur jashtë. Do vijnë pa pagesë. Do i sjellë Lasgushi. Në këtë hall i kërkova kompanisë të marrë barrën e të qënit shqiptar. Nesër del kalendari. Të hënën nis hartimi i listave dhe pikave ku do të marrim qytetarët tanë “tha Rama.
Gjithashtu, kryeministri tha se po torturohet për të ndihmuar të gjithë, gati sipas tij, e gjithë qeveria “po bëhet në 14 copa”. “Duhet durim, është një armë që duhet ta mbushim përditë. Dua t’ju siguroj të gjithëve se të gjithë po bëhemi 14 copash, përditë e përnatë që të mos lemë asnjë prej jush vetëm. Për të gjithë nga nevojat ushqimore deri tek ata që kanë ngecur jashtë Shqipërisë. Ata janë gati të vinë të vinë në Shqipëri. Janë gati edhe të paguajnë, i falenderoj në fakt, se ka të tjerë që bëjnë vetëm komente me qarje për popullin që gjoja po vdes për bukë me kërkesa absurde e me tallje për ata me uniformë e punonjësit socialë. Këto janë të turpshme. S’kemi shkop magjik, por as në shtëpitë më të pasura të kontinentit nuk po shoh të bëhen mrekulli. Unë s’do lë gur pa lëvizur dhe gjë pa bërë për t’ju ardhur në ndihmë të gjithëve, por dreqi e mori, merreni vesh që jemi në luftë. Qeveria mbahet me kontribute jo me dokrra në rrjetet sociale. Kamat-vonesat nuk i falja kurrë por jemi në luftë. OSHEE do të goditet në financat e saj, mospagesa e rrëzon përtokë me një efekt shkatërrues, do na e bënte të pamundur fitore,”tha Rama.






















