Kosovë
Rama e etiketon si tinëzak në politikë, reagon Isa Mustafa

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kryetari i LDK’së është një lider tinëzak, dhe se ai e ka ditur për shengenin ballkanik që një kohë të gjatë.
“Isa Mustafa nuk është nga ata që i thotë të gjitha gjërat që i mendojnë”, tha Rama.
“Ai ka qenë në shumë takime me mua dhe Hashim Thaçin. Këto gjëra janë dakorduar me mua e të e shumë të tjerë. Ai tregohet tinëzar tani. Mustafa është për shengenin rajonal po nuk i thotë të gjitha.”
“Për këtë anën ekonomike jemi dakorduar moti. Kemi rënë dakord në Procesin e Berlinit për unifikim e dokumenteve, për këto e ato. Jeni të lumtur që jeni të mbyllur atje me atë taksë 100% duke luftuar mullirin e erës?”, ka thënë Rama në T7, përcjell Periskopi.
Por, për këto deklarata të Edi Ramës, ka reaguar kryetari i LDK’së, Isa Mustafa i cili ka thënë se nuk dëshiron ta cilësoj ashtu siç e meriton.
“Kryeministri Rama në T7 më cilesoi si politikan tinëzak. Unë nuk dëshiroj ta cilësoj, ashtu siç e meriton, sepse është Kryeministër i Shqipërisë. Por, në asnjë rast nuk kemi biseduar me te dhe me të tjerët për Minishengenin, sa isha Kryeministër. Kemi biseduar për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për Tregun e Përbashkët të këtyre vendeve. Në emër të Kosovës i kam kundërshtuar në të gjitha takimet. I ka kundërshtuar edhe Mali i Zi.
Jemi pajtuar në Procesin e Berlinit për Hapësirën e Përbashkët Ekonomike të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Mustafa në Facebook./Periskopi/




















