Kosovë
Për 8 mars sërish gratë marshuan, nuk festuan

Dhjetëra gra, mes të cilave edhe disa burra, kanë marshuar nëpër rrugët e kryeqytetit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas duke lypur fuqizimin dhe mbështetjen e grave ashtu si në vitet e kaluara.
Motoja e saj mbeti e pandryshuar “Marshojmë, s’festojmë” dhe nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt Policisë së Kosovës ku u kërkua drejtësi për të gjitha gratë e vrara.
Këtu u adresuan disa prej kërkesave të tyre. Një ndër zërat e këtij marshi, Xhejrane Loka tha se për ndaljen e paragjykimeve dhe diskriminimit do të kërkohej llogari edhe nga Qeveria e vendit, përcjell Periskopi.
Pjesëmarrës në këtë marsh ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili megjithatë ka në kabinetin e tij aktualisht vetëm 27 për qind gra, në postet e rëndësishme [kryeministër, zv.kryeministër e ministër].
Ndërkohë, partia e z.Kurti ka qenë vazhdimisht e zënë në promovimin e një diskursi tepër të dhunshëm e shpesh seksist në sferën publike ku atakoheshin të gjithë ata që mendonin ndryshe. Kjo ka bërë që gratë analiste e komentuese të zhvillimeve politike të mos marrin pjesë në debatet publike mbi çështje me rëndësi vitale për mirëqenien e tyre. /Periskopi




















