Kosovë
OAK-u nis hetimet ndaj Tomë Gashit pas sulmeve ndaj lypësit: Priten masa të rënda

Tomë Gashi u kap nga Periskopi në një video derisa e sulmonte një qytetar të varfër të Kosovës në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë. Pamjet ishin të qarta dhe Gashi nuk e ka mohuar veprimin e bërë, por as kjo duket se nuk mjafton që Oda e Avokatëve të Kosovës [OAK] të marrë masa ndaj tij.
Gashi pasi e kishte sulmuar fizikisht qytetarin e varfër që po lypte në qendër të Prishtinës, filloi madje edhe sulmet verbalisht ndaj tij duke e akuzuar se ishte pjesë e një grupi kriminal trafikantësh pa ofruar asnjë provë.
Ky ishte rasti se si një njeri i pushtetshëm poshtëron në të gjitha format një njeri të papushtetshëm.
Më vonë u mësua që qytetari i varfër që u shqelmua në rastin ishte në fakt nga Kosova dhe se nuk ishte pjesë e asnjë grupi, por thjesht kërkonte para nga qytetarët për shkak të gjendjes së rëndë sociale, shkruan Periskopi.
E megjithatë, videoja e qartë ende nuk i ka mjaftuar Odës së Avokatëve të Kosovës për të marrë masa të ashpra ndaj Gashit – në përputhje me veprimin e tij të tmerrshëm.
Të kontaktuar nga Periskopi ata treguan thjesht që Zyra e Prokurorit Disiplinor të OAK-ut thjesht ka nisur hetimet, dhe se masat do t’i merrte pas përfundimit të tyre.
“Zyra e Prokurorit Disiplinor e OAK ka filluar hetimet ne kete rast dhe pas perfundimit te hetimeve do te procedoj rastin tutje ne baze te rregullores per procedure disiplinore te OAK.” – kanë thënë nga Oda e Avokatëve.
Së fundi, Tomë Gashi ka qenë i ftuar në një emision të KTV-së sërish në përpjekje për ta ndrequr imazhin e tij. Nuk dihet pse vazhdojnë këta ftesa të turpshme ndaj avokatit në fjalë./Periskopi




















