Connect with us

Kosovë

Njeriu i Drejtësisë komenton për Periskopin punësimet familjare të Qeverisë Kurti

Publikuar

Është bërë vetëm një muaj që kur Qeveria Kurti ka nisur punën. Mjaftuan 30 ditë që përgjatë kësaj qeverisje, të shohim shumë punësime familjare e rehatim të militantëve. Ndonëse ç’kapja e shtetit ishte një ndër zotimet e Albin Kurtit para se të merrte postin e kryeministrit, praktika tregoi të kundërtën. Ishte vetë Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni i cili dje ka pranuar se ka rehatuar vëllanë e tij Albert Qunin në kabinetin e tij.

Ky është vetëm njëri nga punësimet me nepotizëm që është bërë nga Qeveria Kurti përgjatë këtij muaji. Në rendin e punësimeve nuk mbetën pa u rehatuar edhe aktivistë të VV-së, ku edhe Diellza Arifi, motra e Atdhe Arifit, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje është emëruar asistente e zëvendësministrit të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi. Përveç, Arifit në qeverinë Kurti është rehatuar edhe djali i axhës së deputeti të Vetëvendosjes, Sali Zyba.

Drilon Zyba është emëruar asistent personal i Ministres së Ekonomisë, Punësimit, Industrisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ministrja që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Një vend në qeveri ka siguruar edhe Sami Uka, vëllai i deputetit, Fitim Uka,i cili është punësuar si këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Këtij rendi të emërimeve partiake i bashkëngjitet edhe një i afërm i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, Gëzim Sveçla.

Sveçla është punësuar si shofer i zëvendëskryeministrit të dytë të Qeverisë Kurti, Haki Abazi. Ehat Miftaraj nga IKD i tha Periskopit se punësimet familjare po zbehin qëllimin për qeverisje të mirë dhe të njëjtën kohë humbin besimin e publikut në institucione publike.

“Qeveria Kurti dhe koalicioni qeverisës VV dhe LDK para publikut kanë promovuar transparencë, qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit. Në kuadër të qeverisjes së mirë padyshim hyn edhe punësimi dhe caktimi i stafit politik nga mesi i individëve me integritet, profesional dhe që marrin besimin e publikut se të njëjtit do të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë sipas ligjit. Punësimet familjare edhe në pozita politike apo për të cilat nuk ka nevojë për konkurs padyshim se zbehin qëllimin për qeverisje të mirë, dhe humbin besimin e publikut në institucione publike”, ka thënë Miftaraj për Periskopin. Ai ka theksuar se nepotizmi është kancer në administratën publike, ku në të njëjtën kohë edhe dërgon mesazh shumë të keq tek opinioni.

“Nepotizmi është kancer në administratën publike dhe dërgon mesazhin me të keq tek qytetarët e thjeshte se deri tek një vend pune mund të vish vetëm nëse je argat i politikës apo ke lidhje me parti politike”, ka shtuar Miftaraj/Periskopi/

NA NDIQ NË FACEBOOK