Kosovë
Ngujimi: Kosovarëve iu bëhet bajat karantina nga Koronavirusi

Qytetarët dhe familjet kosovare po përjetojnë ditën e parë të vetë-ngujimit pas rasteve të para me Koronavirusin e ri Covid-19 që u konfirmuan dje. Por, si është atmosfera në Prishtinë?
Periskopi si për shumë çështje të tjera nuk shpërfilli qytetarët por shkoi të shihte nëpër qytet se si po ia dilnin me masat e reja të Qeverisë.
Veturat nëpër rrugë ishin më të pakta, shumica prej të cilëve ishin taksistë ndër-urbanë. Kafenetë, restorantet, pabet dhe baret qëndronin të mbyllura. Por, megjithatë kishte përjashtime. Nëpër qendra tregtare servoheshin edhe kafe. Ato shërbeheshin nga punëtorët që kishin vënë maska e dorëza. Të hapura ishin edhe furrat e bukës, por edhe farmacitë – në disa prej të cilave kishte radhë të gjata trupash që qëndronin tepër afër njëri-tjetrit.
Edhe shumica e kalimtarëve në rrugë kishin maska në gojë për t’u mbrojtur nga virusi i ri, por numri i tyre ishte shumë më i vogël se në ditët e rëndomta.
Ekipi i Periskopit ndali një qytetar në rrugën “Malush Kosova” në Lagje të Spitalit për ta pyetur se si i dukej atmosfera në qytet. Ai dukej i pafrikësuar nga virusi, por i frikësuar nga atmosfera në qytet.
“Atmosfera në qytet po më duket si në episodat e serialit apokaliptik “Walking Dead” – na tha ai.
![]()
Shumë qytetarë të tjerë ndërkohë kanë shkruar në adresën tonë se qysh në ditën e parë, vetëngujimi iu është bërë bajat. Një tjetër madje e krahasoi atmosferën në shtëpi si në filmin “Cast Away” me Tom Hanks, e ky i fundit është prekur me Koronavirus.
Mjafton t’i hedhim sytë vetëm pak qytetit për të parë se Koronavirusi do të shkaktojë dëme të mëdha në ekonominë kosovare, sidomos te bizneset e vogla të vendit.
Ndërkohë, ekspertët e shëndetit mendor kanë tërhequr vërejtjen se karantina mund të jetë shumë e dëmshme për njerëzit që kanë probleme të ndryshme me shëndetin mendor. /Periskopi





















