Kosovë
Nga 115-78 për Kosovën, Serbia e bën rezultatin 97-96 në OKB: Çnjohja e radhës fatale

Sot në mëngjes, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq ka treguar se edhe Sierra Leone e ka çnjohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Por, kjo çnjohje është edhe më e rëndë kur merret parasysh situata në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Para dy vitesh, Kosovën e njihnin 115 shtete ndërkaq i vyente njohja edhe e 78 shteteve tjera anëtare të OKB-së. Kjo ishte një epërsi e madhe që i jepte një avantazh të madh edhe në tavolinën e negociatave me Serbinë. Por, diplomacia jonë u fut në një gjumë të thellë dhe rezultati zbriti e zbriti vazhdimisht.
Kjo është çnjohja e 18 e shtetit të Kosovës, gjë që e ngushton ndjeshëm avantazhin tonë krahas Serbisë në OKB, shkruan Periskopi.
Nga 115-78, tashmë rezultati u bë 97-96 për Kosovën – gjë që nënkupton se çnjohja e radhës do të jetë fatale për vendin tonë.
Kosova më herët në retorikën e saj në respekt me dialogun ndaj Serbisë përdorte vazhdimisht argumentin se jemi njohur nga shumica e shteteve të OKB-së. Me kthimin e rezultatit përmes çnjohjeve, tashmë është Serbia ajo që ka në dorë një argument të tillë të rëndësishëm.
Kujtojmë që Daçiq ka përsëritur se këto çnjohje në fakt kanë karakter të përkohshëm, pasi janë bërë në mënyrë që t’i lëshohet rrugë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për statusin final të së parës.
Dhe duket se ngulmimi ndërkombëtar për statusin dhe përfshirja direkte e Kosovës ka bërë që këto shtete ta shohin të arsyeshme çnjohjen e shtetit tonë.
Të shpresojmë që diplomacia jonë që drejtohet nga Glauk Konjufca do të hartojë ndonjë strategji për ta kthyer trendin në anën e kundërt. /Periskopi






















