Kosovë
Mbërrinë në Kosovë një donacion mjekësor nga Holanda

Ambasada e Kosovës në Holandë ka nisur një donacion me materiale mjekësore për në Kosovë, me qëllim që ta zbus sadopak nevojat urgjente të institucioneve shëndetësore, në përballje me pandeminë COVID-19.
“Donacioni, pas shumë pengesave gjatë rrugës, ka mbërritur në Kosovë, dhe nesër do t’i dorëzohet Klinikës Infektive në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Kosovës në Holandë”.
“Donacioni përmban aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermiere, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse, kateterë, etj”.
“Të gjithë atyre që janë prekur nga kjo sëmundje dhe atyre që qëndrojnë të izoluar, dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, u dëshirojmë tejkalim sa më të shpejtë dhe të lehtë të kësaj pandemie, e cila ka prekur rëndë edhe Holandën, ku edhe ne si diplomatë të Kosovës qëndrojmë të izoluar, por edhe aktivë njëkohësisht, për t’iu dalë në ndihmë komunitetit tonë këtu”, thuhet tutje në njoftim.
Aktualisht në Kosovë janë të prekur 33 persona nga Koronavirusi.




















