Lajme
Listat, 15 subjekte propozojnë 1598 kandidatë

15 subjekte politike kanë propozuar gjithsej 1598 kandidatë për deputetë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Shqyrtimi i kandidaturave do të bëhet brenda 24 orëve. Në rast se haset në parregullsi, subjekteve do t’i jepet afat shtesë për korrigjimin e kandidaturave.
Nëse është diçka në rregull, lista është dërguar në kohë dhe i plotëson të gjitha kushtet sipas Kodit Zgjedhor atëherë ajo listë do të vërtetohet. Nëse kanë ndonjë mangësi atëherë subjekteve i jepet mundësi shtesë për përmirësimin e gabimeve, respektivisht afat shtesë për subjektet që do t’i përmirësojnë listat dhe në fund KSHZ do të vendos nëse lista miratohet ose hidhet poshtë”-tha Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së.
Vetëm gjashtë subjekte kanë propozuar kandidatë për deputetë në 7 njësi zgjedhore, ndërsa më së paku ka propozuar Partia Popullore e Romëve e cila ka dorëzuar lista vetëm për dy njësi.
| Propozuesit e listave për deputet | Njësitë |
| Asnjëherë e Veriut-Vetëm Maqedoni | 7 |
| Bashkimi Demokratik për Integrim | 7 |
| LSDM- Koalicioni “Mundemi” | 7 |
| Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa | 6 |
| “Tvoja Partia” | 1, 2, 5 |
| Partia Demokratike Shqiptare | 1, 2, 3, 5, 6 |
| Partia Popullore e Romëve | 2 |
| VMRO-DPMNE- Koalicioni “Ripërtërija e Maqedonisë | 7 |
| Partia Konservatore Maqedonase “Integra” | 7 |
| Partia Politike E Majta | 6 |
| Partia Politike Unioni Socialdemokrat | 5 |
| Partia Politike “Demokratët” | 7 |
| Partia Politike-Moro | 6 |
| Unioni Demokratik Qytetar-GDU | 5 |
| Zëri për Maqedoninë | 5 |
Jo zyrtarisht mësohet se slogani i koalicionit të udhëhequr nga partia pro ruse e Janko Baçevit “Asnjëherë e Veriut-Vetëm Maqedoni” do të kontestohet për shkak se bie në kundërshtim me normat e Kodit Zgjedhor dhe emrin kushtetues të vendit. Nga KSHZ thonë se bashkë me listat shqyrtohet edhe aspekti normativ i sloganeve të partive.
Të gjitha listat janë duke u kontrolluar duke marrë parasysh edhe emërimin e koalicioneve. Nëse hasim në raste të tilla, sigurisht që KSHZ-ja do të sjell vendim adekuat gjithmonë duke i respektuar normat e Kodit Zgjedhor”-pohoi Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së.
Ditë më parë subjektet politike dorëzuan listat e kandidatëve për deputetë në KSHZ duke bërë të njohur zyrtarisht edhe emrat e bartësve të listave. Pas shqyrtimit pason shorti për numrat në lista. Fushata zgjedhore fillon më 23 mars dhe përfundon më 10 prill.
Adrian Kerimi
.
















