Kosovë
Kurti i kishte dhënë 75 ditë kohë nënshkrimit të Marrëveshjes Kosovë-Serbi

Për ta vënë nënshkrimin në një letër të caktuar nuk duhen më shumë se disa sekonda. Por, ja që kryeministri në dorëheqje Albin Kurti duket se kishte bindjen që për një gjë të tillë duhen 100 ditë.
Ishte muaji shkurt kur Albin Kurti njoftoi se kishte marrë vendin që ta hiqte tarifën 100% ndaj mallrave serbe, pjesërisht nga 15 marsi, dhe krejtësisht nga 1 prilli. Reciprocitetin do ta vendoste më 15 qershor. Kjo nënkuptonte se ishin 75 ditë prej 1 prillit e deri më 15 qershor.
Këto deklarata i dha në shpërputhje të plotë me partnerin e tij qeveritar, LDK-në, në shpërputhje me vetë qeverinë e tij që nuk e kishte votuar këtë vendim, dhe më e rëndësishmja, në shpërputhje me vetin e tij që vetëm disa ditë më parë deklaronte se: “Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti.
Por, heqja e tij graduale e tarifës nuk e kënaqi ShBA-në, e cila kërkoi që ajo të hiqej menjëherë dhe madje për një gjë të tillë kërcënoi me sanksione të rënda. Përveç kësaj, ShBA-të kërkuan edhe që Kosova të mos vendoste fare reciprocitetin.
Çka po ndodhte në mendjen e Albin Kurtit, në anën tjetër?
Sipas tij, ekzistonte një marrëveshje sekrete për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë diku në Washington dhe e cila thjesht po priste që të nënshkruhej. Por, që nuk mund të nënshkruhej për 75 ditë kohë.
Në fakt, procesi fizik – aq sa edhe vyen – i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është vetëm disa-sekondësh pa përfshirë këtu edhe udhëtimin drejt ShBA-ve.
Kurti kishte dhënë një zotim para qytetarëve të Kosovës, e të cilin nuk e kishte mbajtur. Tarifa nuk u hoq “porsa u vendos reciprociteti”. Bile, ky zotim u thye përmes deklaratës së tij qysh në muajin shkurt. Dhe po ashtu, Kurti theu zotimin para ambasadorit Grenell, duke i thënë në sy që “do ta hiqte tarifën” pa nënkuptimin se do të vendosej reciprociteti.
Ajo që duhet të kuptohet mirëfilli është: nëse Kurti kishte seriozisht bindjen se ekziston marrëveshja sekrete mes Kosovës dhe Serbisë atëherë pse i lejoi kohën prej 75 ditësh për t’u nënshkruar? /Periskopi





















