Kosovë
Kryeministri i llafeve: Si ia pështjell punët e tarifës Kurtit, çnjohja nga Sierra Leone?

Sot shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, doli në konferencë të përbashkët për media me shefen e diplomacisë së Sierra Leones për të njoftuar se edhe ky vend po e tërhiqte njohjen ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Daçiq gjatë ditës së djeshme deklaroi se po nisej për në kontinentin afrikan për të vazhduar fushatën e çnjohjeve për Republikën e Kosovës.
Dhe tashmë, ai doli në konferencë të përbashkët nga Sierra Leone me ministren e punëve të jashtme të këtij vendi – duke i pamundësuar kryediplomatit tonë, z.Glauk Konjufca, që të ofronte qoftë edhe një demant të thjeshtë.
Kjo është çnjohja e tetëmbëdhjetë që i vjen Republikës së Kosovës – dhe të gjitha u realizuan brenda një afati të shkurtër kohor, shkruan Periskopi.
Por, kjo çnjohje na vjen në një periudhë mjaft të nxehtë politike. Kryeministri ynë, Albin Kurti, ka premtuar se do të pezullonte tarifën 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia gradualisht. Fillimisht, do ta pezullonte tarifën për mallrat e lëndës së parë prej 15 marsit, e nëse Serbia do të sillej mirë, do ta pezullonte për një periudhë 90 ditore plotësisht tarifën më 1 prill.
Mirëpo, 1 prilli si duket mund të mbetet vetëm një ditë rrenash.
![]()
“Duke filluar nga 1 prilli zyrtarisht të hiqet taksa ndaj produkteve për një kohë të caktuar. Dhe Serbia nëse nuk reflekton deri më 1 prill Kosova do të vazhdojë me reciprocitet” – kishte thënë Kurti.
Kjo nënkupton se çnjohja e Sierra Leones nuk është thjesht një njohje më pak për pavarësinë e vendit tonë, por edhe një komplikim i tmerrshëm edhe në punët e brendshme.
Kurti ka shkelur shumë qëndrime deri tash, duke përfshirë edhe atë për tarifën, por Serbia del se ka përdhosur krejtësisht përpjekjet e tij për ta ulur atë në tavolinë negociatash.
Njeriu që shkruante parulla “Jo Negociata” në Kosovë, Albin Kurti, tashmë është duke u përpjekur që ta ulë Serbinë në negociata – por, duket se poshtërimit i mungon krejtësisht një digë që do ta frenonte.
Kryeministri i Kosovës qoftë vetëm nëse vazhdon me heqjen graduale e të pjesshme të tarifës dhe me vendosjen e reciprocitetit vetëm në muajin qershor, do të hajë fjalët e tij që kërcënonin Serbinë që të mos e vazhdonte fushatën e çnjohjeve. /Periskopi






















