Kosovë
Kosova është në vetë-ngujim për shkak të Koronavirusit. Periskopi iu sjell ngjarjet më të rëndësishme politike të javës

Java nisi nën kërcënimet amerikane të shtuara nga Shtëpia e Bardhë. Heqja e taksës ndaj mallrave të importuara nga Serbia u kërkua jo vetëm nga Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, por edhe nga i biri i Donald Trump dhe po ashtu nga dy senatorë republikanë.
Për herë të parë që nga paslufta, në Kosovë u nxit një valë anti-amerikane për shkak të polarizimit politik.
Kryeministri Kurti dukej krejtësisht i pandjeshëm dhe i pandërgjegjshëm për aleancën historike të Kosovës me ShBA-të, duke kërkuar aleancë me Bashkimin Evropian që formalisht ende nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës për shkak të pesë vendeve anëtare të saj.
Por, një tjetër zhvillim dramatik ndodhi gjatë kësaj jave e që u kapërcye në heshtje. Ishte Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, ai që i ktheu letrën kryeministrit Kurti dhe i theu të gjitha shpresat e tij për bashkëpunim. Borrell i kërkoi haptas e qartë në letrën e tij “heqjen e plotë të taksës” ashtu siç e kishte kërkuar edhe ShBA-ja.
Kurti në këto momente që po flasim ndodhet prapa dyerve të mbyllura në Bruksel e në Washington. Këto dyer mund të çelen vetëm nëse ai thyen plotësisht premtimin zgjedhor për tarifën dhe reciprocitetin, duke e hequr të parën pa vendosjen e të dytës. Duket se kryeministri ynë nuk e ka kuptuar që çështja e parimeve të tij ka përfunduar. Nuk mund të jesh as gjysmë-parimor, as çerek-parimor – nëse shkel parimet, qoftë vetëm pak, atëherë je joparimor.
Gjatë kësaj jave shpërtheu paniku nga Koronavirusi. Madje, shumë kohë para se të konfirmoheshin rastet e para në vendin tonë. Qytetarët u ngutën që të blinin miell dhe gjësende tjera ushqimore që të përgatiteshin për vetë-izolimin. Për herë të parë pas 21 vitesh, familjet kosovare janë të vetë-izoluara.
Dhe, sapo u shënuan rastet e para të Koronavirusit, në mënyrë të papranueshme shumë qytetarë që mbështesin Vetëvendosjen filluan ta sulmonin 77 vjeçarin nga Vitia për kthimin e tij nga Vitia dhe jo Qeverinë Kurti që nuk kishte ndërmarrë masat adekuate me kohë.
77 vjeçari u raportua se kishte hyrë në Kosovë më 5 mars, dhe prej asaj dite, kishte qenë i pranishëm në shumë vende. Kishte qenë në të paktën një restorant, në të paktën një kafene, pjesëmarrës në një dasmë dhe kishte qenë edhe në një meshë në fshatin e tij.
Natyrisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të vepronte prej më herët, kur rreziku ishte i dukshëm e real, që të testonte rastet në kufijtë e Kosovës. Kjo bëhet vetëm tash, pas prekjes me Koronavirus të pesë personave.
Dhe, para se të lajmëroheshin rastet e para me Koronavirus, u zhvillua takimi mes kryeministrit Kurti dhe Presidentit Thaçi. U njoftua se këta dy liderë institucionalë ishin pajtuar në shumë “konstatime” dhe takimi zgjati më shumë se 1 orë. Ata ishin pajtuar që të takoheshin prapë me njëri-tjetrin.
Ndërkohë që ngjarje e rëndësishme ishte edhe miratimi i buxhetit prej 2.3 miliardë eurove, por pa votat e Opozitës si dhe ashpërsimi i fundit i gjuhës mes LDK-së dhe Kurtit e për të cilin Periskopi është duke përgatitur një artikull të veçantë./Periskopi






















