Lajme
Koronavirusi, testohet një tjetër pacient

Nuk ka raste të reja me koronavirus në vend. Personi i testuar gjatë ditës i cili më 7 mars ishte kthyer nga Gjermania ka rezultuar negativ. Ministri i shëndetësisë Filipçe tha se personeli mjekësor dhe pacientët që ishin në kontakt me ish drejtoreshën e klinikës për sëmundje të lëkurës janë në kontakt me epidemiologët dhe asnjëri prej tyre nuk ka shenja virusi.
Filipçe tha se gjendja shëndetësore e tre pacientëve të infektuar nga koronavirusi është përkeqësuar lehtë gjatë natës së kaluar. Ai tha se tre pacientët janë të moshës mbi 65 vjet dhe terapia ndaj tyre është përforcuar. Ndërkohë, 6 pacientët e tjerë me këtë virus vazhdojnë të kenë gjendje shëndetësore stabile.
Kanë vështirësi në frymëmarrje por akoma nuk kanë nevojë për mbështetje respiratore, terapia u është përforcuar. Tre pacientët në fjalë janë të moshës mbi 65 vjet. Gjatë natës nuk kishte pacientë për tu testuar- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Filipçe bëri publike edhe një sërë masash tjera për tu mbrojtur nga koronavirusi. Kafenetë, restorantet, bastoret dhe kazinotë do të punojnë me orar të shkurtuar deri në orën18. Ndalohen aktivitetet në kinema dhe teatër.
Ndalohen të gjitha tubimet private dhe shtetërore pa dallim të numrit të pjesmarrësve duke përfshirë koncerte, kinema, teatër, salla sportive dhe fitnesi. Kafenetë dhe restorantet të punojnë me orar të shkurtuar, deri në orën 18 dhe atë me kapacitet të përgjysmuar brenda lokalit, të mbahet distancë mes njerëzve prej 1.5 deri në 2 metër. Në Itali ka orë policore, askush nuk guxon të hyj dhe të dalë nga shtëpia pa leje speciale. Ne nuk dëshirojmë ta bëjmë të njejtën prandaj në këtë fazë kemi marrë masa të këtilla- porositi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Numri një i shëndetësisë nënvizoi se masat tjera kanë të bëjnë me anulimin e intervenimeve kirurgjikale, përveç atyre të jashtëzakonshme. Të sëmurit kronikë, terapitë do të mund ti vazhdojnë tek mjeku amë mirëpo kjo nuk do të vlejë edhe për pacientët e rinj të diagnostikuar. Filipçe paralajmëroi masa dhe sanksione për keqpërdorimin e çmimeve të maskave mbrojtëse. Punktet për vaksinimin e foshnjave dhe fëmijëve parashkollor do të punojnë rregullisht ndërsa mund të shtyhet vaksinimi i fëmijëve shkollor. Sipas Filipçes, për momentin janë mbi 200 persona në vetëizolim. Për momentin ka teste të mjaftueshme për virusin dhe se edhe 1 mijë të tjera janë porositur. Klinikat do të furnizohen edhe me 50 aparate respiratore, pajisje mbrojtëse dhe dy aparate mobile të rentgenit.
Melihate Rustemi
.















