Lajme
Koronavirusi në Shqipëri, Shahini: Nxënësit mund të mësojnë nga shtëpia

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, doli në një konferencë për media pas vendimit të marrë nga qeveria për pezullimin e mësimit për dy javë pas konfirmimit të dy rasteve me Covid-19.
Shahini sqaroi se pezullimi i mësimit nis nga dita e sotme deri më 23 mars dhe shtrihet në gjithë sistemin arsimor, nga ai parashkollor në të lartë.
Ajo u shpreh se do të nisë zbatimi i planit që mësuesit të rrinë në kontakt me prindërit përmes rrjeteve sociale për të informuar nxënësit për mësimet dhe detyrat që do të kryejnë gjatë kohës që do të qëndrojnë në shtëpi.
“I kemi orientuar drejtuesit e shkollave që ditën e sotme ta mbyllin me qetësi dhe të orientojnë nxënësit për detyrat dhe mësimet që duhet të kryejnë gjatë dy javëve të ardhshme. Ky vendim vlen dhe për institucionet e arsimit parashkollor dhe atë të lartë, publike dhe private”.
“Arsyeja është frenimi i përhapjes së Covid-19 që është shfaqur në dy raste. Masa është parandaluese, nuk ka nevojë për panik. Jemi duke bërë një plan për të gjithë drejtorët e shkollave që të orientojnë mësuesit që të rrinë në kontakt me prindërit që nxënësit të bëjnë mësim nga shtëpia. Rrjetet sociale na ndihmojnë, sepse prindërit mund të komunikojnë me mësuesit përmes tyre që t’i orientojnë fëmijët të mësojnë nga shtëpia”, deklaroi ministrja Shahini./ A2 CNN


















