Lajme
Korça për virusin korona: Është i nevojshëm kujdesi, por jo paniku

Në kohën kur gjithandej flitet për virusin korona dhe është përhapur frikë te njerëzit, psikologja Arbëresha Korça thekson se është i nevojshëm kujdesi i shtuar, por se nuk ka nevojë për panik. Korça thotë se sipas saj, njerëzit janë ndarë në dy grupe, ata që janë indiferentë ndaj virusit dhe ata që bëjnë panik.
“Kryesorja që unë do rekomandoja, duhet të kontrollojmë impulset tona për të shmangur këto tema, duhet të marrim informacion të saktë dhe të mos dezinformohemi, të mundohemi të merremi me aktivitete që na japin kënaqësi, brenda shtëpisë të praktikojnë hobit e veta, të lexojnë ndonjë libër, të shohin ndonjë film, të gatuajnë, apo hobi tjera që mund t’i kenë. Të bisedojnë me miqtë, të vazhdojnë jetën normalisht, kryesisht në mënyrë virtuale të paktën këto ditë. Të bëjmë kujdes dhe të jemi të ndërgjegjshëm. Është periudha që kemi nevojë për kujdes por jo për panik”, thekson Korça.
Ajo thotë se ankthi dhe stresi mund të ndikojnë negativisht në sistemin imunitar. Sipas saj, situata duhet të merret seriozisht dhe njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi.
“Paniku në këto raste thjeshtë mund të shkaktojë më shumë kaos. Mbi të gjitha dua të theksoj se ankthi dhe paniku ndikojnë drejtpërdrejtë në sistemin tonë imunitar dhe gjëja që na nevojitet më shumë në këto momente është të kemi një sistem imunitar të fortë, andaj dhe duhet të përpiqemi të qetësohemi. Ankthi nuk është thjeshtë një gjendje psikologjike por është një gjendje që ndikon edhe fiziologjikisht. Dhe nëse vazhdon edhe trupi nuk e përballon dot më”, thekson Korça.
.














