Connect with us

Kosovë

Java: Si po e humb Kosova lirinë pas 20 vitesh?

Publikuar

Në këtë artikull, Periskopi ka përgatitur përmbledhjen javore të ngjarjeve të javës në vend.

Për shkak të koronavirusit të ri Covid-19, kosovarët janë vetizoluar nëpër shtëpitë e tyre duke respektuar kërkesat e autoriteteve shëndetësore në vend. Deri tash janë shënuar 31 raste, nga të cilat vetëm në minutat e fundit u konfirmua i vdekuri i parë.

Por, përkundër virusit dhe karantinave, pushteti i sotëm nuk dukej se ishte i ngopur nga vëmendja mediale. Kryeministri Kurti krejtësisht panevojshëm shkarkoi në mes të kësaj jave minsitrin e Brendshëm, Agim Veliun, duke e shkelur kësisoj Marrëveshjen për Bashkëqeverisje me LDK-në.

Kjo pashmangshëm çoi në vendimin e LDK-së që të kërkohej seancë për të kërkuar shkarkimin e kësaj Qeverie. Me të drejtë, kryetari i kësaj partie, z.Isa Mustafa deklaroi se nuk mund të rrinin në një koalicion me Vetëvendosjen pas këtij veprimi të papërgjegjshëm.

Dhe, ashtu siç pritej, kjo e çoi peshë Vetëvendosjen. Zyrtarë të lartë të kësaj partie vazhduan si gjithnjë me gjuhë të urrejtjes, kësaj here në drejtim të LDK-së. Ishte një deputete si Fitore Pacolli, pastaj një zv.ministër, dhe dhjetëra të tjerë që i frynin zjarrit për ta sulmuar partnerin e koalicionit.

Po gjatë kësaj jave, qytetarët e bënë një protestë – në fillim kundër të dyja partive, LDK-së e VV-së – dhe e cila në fund u bë vetëm kundër të parës. Shoqëria civile dhe gazetarët e paanshëm nuk ekzistojnë më. Ose janë të frikësuar e të heshtur, ose janë bërë konformistë me qëndrimet e partisë më të madhe në vend.

Periskopi bëri një varg artikujsh gjatë javës së kaluar – duke raportuar me paanësi mbi dështimet e qeverisë për të bërë diçka konkrete brenda këtyre pesëdhjetë ditëve – dhe u sulmua e u kërcënua vazhdimisht. Si duket, Policia e Kosovës nuk merret aspak me këta kërcënues e sulmues – gjë që shpejt mund t’i kushtojë shtrenjtë ndonjë individi.

Çka ndodhi më pas? Kishim tentim-sulmin ndaj gazetarit Berat Buzhala, vetëm për shkak të mbrojtjes që i bëri LDK-së nga fajësimi që po i bën Vetëvendosje. Që nga shpallja e pavarësisë e këndej, liria e shprehjes nuk ka qenë asnjëherë më keq se sa tash. Secilit gazetar dhe qytetar i duhet të mendojë dy herë mbi pasojat që mund t’i ketë fjala e saj. Të përballet me denigrim personal, familjar, me urrejtje të jashtëzakonshme, linçim e intimidim. A ia vlen të flasim në këto rrethana? Jo aspak.

Pra, një ngjarje e pavërejtshme ishte sulmi tjetër mbi lirinë e shprehjes. Mbi lirinë për të cilin u sakrifikuan aq shumë njerëz, u vranë e u persekutuan aq shumë të tjerë – dhe e cila, sot nuk ekziston. Mund ta ofendosh e kritikosh në mënyrë brutale Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Isa Mustafën, por nuk mund ta bësh të njëjtën edhe për Albin Kurtin pa vuajtur pasoja tmerruese.

Po gjatë kësaj jave kishim propozimin e presidentit Thaçi që të shpallej gjendja e jashtëzakonshme. Kjo u interpretua nga Vetëvendosje dhe eksponentët e saj si z.Veton Surroi si luftë për pushtet. Askush nuk u lodh të lexonte Kushtetutën dhe të shihte se nga kjo shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme në fakt nuk vinte kurrfarë pushteti politik. Dhe askush nuk u lodh që t’i tregonte qytetarëve se çka do të përfitonte Thaçi nga një gjë e tillë? Natyrisht, nëse situata përkeqësohet aq shumë sa gjendja e jashtëzakonshme bëhet domosdoshmëri – kjo sërish do të intepretohet si dhënie e pushtetit për presidentit, duke e vënë jetën e qytetarëve në rrezik për konspiracione të cilat nuk i besojnë as vetë.

Java tjetër mund ta gjejë Kosovën pa qeveri. Por, pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është si vijon: a kemi në të vërtetë ne qeveri? Çfarë veprimesh mori ajo përgjatë 50 ditësh në luftën kundër krimit dhe korrupsionit? Çfarë veprimesh konkrete për të nxitur zhvillimin? E vërteta është se Kurti shumicën e kohës si kryeministër e kaloi para gazetarëve, në intervista gazetash, televizionesh dhe konferenca shtypi.