Connect with us

Kosovë

JAVA: Si ndodhi që ai i cili po akuzonte të tjerët për copëtim territoresh në fakt i copëtoi njerëzit e Kosovës?

Publikuar

Kjo ishte java më dramatike e vitit 2020. U rrëzua qeveria Kurti, u përhap fryma anti-amerikane në përmasa të papara më herët, u rrit polarizimi i popullit, dhe u demaskua mashtrimi më i madh i dy viteve të fundit.

25 marsi i vitit 2020 do të mbahet mend për shumë gjëra. Ndër tjerash, edhe për fjalimin më patetik ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës. Ky ‘nder’ i takon deputetit të Vetëvendosjes, z.Gazmend Gjyshinca – i cili sforcohej aq shumë në fjalitë e tij sa dukej qesharak në theksimin që iu bënte fjalëve.

Se sa dëshpërimtare ishte përpjekja e Vetëvendosjes për të ndërtuar një ligjërim përçarës u dëshmua nga një varg deputetësh të kësaj partie, deputetësh kah fundi që nuk i kishim dëgjuar derisa flisnin më herët.

Natyrisht, asnjëri prej tyre nuk tha absolutisht asgjë të re – por vazhdoi në formë të uniformuar të përsëriste ato që ishin thënë nga deputetët kah fillimi. E, duke qenë se përsëritja e këtyre fjalive ishte bërë patetike, këta deputetë kah fundi – përfshirë edhe z.Gjyshinca – vendosën të shkonin aq larg sa të thurnin vargje me pasion të sforcuar për të rënë në sy. Ja që ranë, por ranë për të keq.

LDK-ja ia doli mbanë që ta rrëzonte Qeverinë Kurti, me ndihmën e partive opozitare. Por, Vetëvendosje nuk kurseu arsenalin e saj propagandues që ta sulmonte në mënyra të papranueshme secilin zyrtar që ish-partnerit që i kishte mbetur ‘halë në sy’. U sulmua në mënyrë të organizuar Isa Mustafa, u sulmua Avdullah Hoti, pastaj edhe Arben Gashi e Driton Selmanaj.

E ndërsa çështja e rrëzimit të Qeverisë Kurti u krye, ishte një deklaratë e përbashkët e Richard Grenellit, Matthew Palmerit dhe Philip Kosnettit e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit ajo që bëri bujë të madhe në opinionin tonë.

Albin Kurti kishte gënjyer haptas në Kuvendin e Kosovës. Ata deklaruar se nuk kishte kurrfarë marrëveshjeje sekrete mes Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territoresh. Kjo bëri që të nisej një tjetër fushatë agresive online nga Vetëvendosje për “qërim hesapesh” me ambasadorin Kosnett dhe të dërguarin për dialog Grenell.

Madje, si asnjëherë më parë, anti-amerikanizmi u rrit në përmasa të frikshme nga partia në pushtet, Vetëvendosje.

Grenell madje dha një intervistë për një televizion Kosovar, T7, e në të cilin deklaroi se Albin Kurti e kishte gënjyer në sy duke i thënë se do ta hiqte tarifën. Kurti në anën tjetër tha se i kishte thënë se do ta hiqte tarifën për ta vendosur reciprocitetin. Qytetarët e Kosovës do të vendosin se cilit t’i besojnë – por një fakt është i qartë: Taksa është hequr ndërsa reciprociteti nuk është vendosur.

Kurti kishte premtuar se do ta hiqte taksën PORSA ta vendoste reciprocitetin. Pra, marrim vesh kësisoj se për politikë inatesh, dhe jo parimesh, kryeministri ka vënë në rrezik aleancën tonë historike me ShBA-të dhe është vet-dorëzuar si kryeministër.

Një qytetar ka të drejtë të pyes: në 50 ditë të paktën mund të merrej një hap në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, cili ishte hapi që e ndërmori Albin Kurti?

Por, ajo që qytetarët e Kosovës e morën vesh më qartë se asnjëherë tjetër ishte se ai që kishte akuzuar tjetërkënd për ‘copëtim territoresh’ – akuzë që iu përplas hundëve nga ShBA-të – në fakt copëtoi njerëzit e Kosovës përmes përçarjesh të rënda me gjuhë urrejtëse. Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e copëtuar politikisht se tash. Dhe fatura për këtë gjë, e dimë se kujt duhet t’i shkojë.

Ndërkohë, në kuadër të përpjekjeve të tij kryeministrore për luftë kundër koronavirusit, për shkak të inatit që IKShP nuk kishte rekomanduar që të mos mbahej seanca e Kuvendit – Albin Kurti e shkarkoi atë nga pozita e kryetarit të ShSKUK-së. /Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK