Kosovë
Java më dramatike e vitit 2020: Përpjekja epike e Kurtit për ta bindur Serbinë që të kthehet në negociata

Java që po merr fund sot ishte një ndër më dramatiket e këtij viti. Periskopi në përmbledhjen javore iu sjell ngjarjet që përshkuan gjashtë ditët e kaluara e që domosdo kanë rëndësi për sferën tonë publike.
Prishtinë, 1 mars – Kryeministri Albin Kurti bëri publikimin e një letërkëmbimi ndërmjet ish kryeministrit Thaçi, tashmë president, dhe ish Sekretarit Gjeneral të NATO-s, z.Anders Fogh Rasmussen.
Kurti pretendonte se letërkëmbimi në fjalë përbënte “marrëveshje sekrete” që potencialisht cenonte sovranitetin e shtetit, dhe integritetin territorial. Z.Kurti besonte që letërkëmbimi Thaçi-Rasmussen kishte të njëjtën vlerë juridike si marrëveshja e arritur në Bruksel mes Thaçit dhe Ivica Daçiqit.
Opinioni ligjor deklaronte se Thaçi kishte bërë “shkelje kushtetuese”. Por, opinioni ligjor i kujt? Mentor Borovci nga zyra e kryeministrit mohoi të ketë qenë autor i atij opinioni ligjor, ndërsa vetë Kurti deklaroi se “zyra e tij” e kishte përgatitur opinionin në fjalë. Pra, vlera e tij ligjore ishte 0.
![]()
Kurti u kritikua ashpër pas një veprimi të tillë që cenonte bashkëpunimin e Kosovës me forcat paqeruajtëse të NATO-s, ndërkohë që letërkëmbimi doli se nuk kishte qenë aspak sekret dhe që ishte përfolur madje haptas edhe nga liderët e NATO-s, por edhe nga liderët e Kosovës. I vetmi që nuk e kishte ditur kishte qenë Kurti.
Por, as kjo nuk ishte e vërteta e plotë. Kurti po manipulonte opinionin publik pasi ishte në një presion të madh nga ShBA-të për të pezulluar tarifën në kuadër të përpjekjes për të bindur Serbinë që të kthehej në tavolinën e negociatave. Po pra, ndodhi edhe një gjë e tillë: Vetëvendosje nga pozicioni kategorik kundër negociatave, tashmë duhej që ta bindte Serbinë që të kthehej në negociata.
Në postimin e fundit në Facebook në lidhje me letërkëmbimin, z.Kurti asnjëherë nuk përmend termin “marrëveshje”.
Doli se më shumë e çmonte Serbia 2 përqindëshin e eksportit të përgjithshëm të saj, se sa Kurti e Vetëvendosje të gjithë të mbijetuarit e të vrarët e luftës, viktimat e sakrifikuesit, dinjitetin e shtetit, e kështu me radhë.
![]()
Mirëpo, ashtu siç edhe kishte parashikuar Periskopi më 13 shkurt, Kurti e shkeli edhe qëndrimin e tij për reciprocitet ndaj Republikës së Serbisë.
Ai thoshte hapur publikisht se tarifa do të hiqej sapo që Kosova ta vendoste reciprocitetin ndaj Republikës së Serbisë. Të premten, ai doli në konferencë për media dhe deklaroi se tarifa e plotë do të hiqej prej datës 1 prill, ndërkohë që reciprociteti do të vendoset më 15 qershor.
Mirëpo, edhe pse kryeministri ynë e shkeli edhe një tjetër qëndrim e premtim, kjo duket se nuk i mjaftoi të dërguarit të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi. Grenell reagoi në orët e vona të mbrëmjes, me kohën tonë lokale, që Kurti duhej ta hiqte plotësisht tarifën madje duke shtuar se ai po bënte një “gabim serioz”.
LDK-ja ndërkohë është shprehur kundër veprimit të Kurtit. Kjo parti politike pa fijen e turpit e shkeli premtimin e saj për vendosjen e reciprocitetit, duke kërkuar tashmë koordinim të plotë për bërjen e një gjëje të tillë. Kjo nënkupton, të koordinohemi me ShBA-të që reciprociteti të mos ndodh kurrë.
![]()
E pra, qytetarët u gënjyen. Në vend se të premtonin reciprocitetit, të dyja partitë e pushtetit do të duhej të premtonin reciprocitetit nëse kjo do të lejohej nga ShBA-të.
Po gjatë kësaj jave, kishim një veprim të mirë nga ana e zv.ministrit Xhelal Sveçla, i cili u raportua se u përfshi në një konflikt fizik në mbrojtje të një shitësi ambulant. Kjo ishte krejt e kundërta e veprimit të Tomë Gashit, i cili para disa javësh e sulmoi një lypës në sheshin Nëna Terezë.
![]()
Po gjatë kësaj jave, Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin për burgim efektiv të kreut të FFK-së, z.Agim Ademi i cili është dënuar për dy vepra shumë të rënda penale. /Periskopi


















