Kosovë
IKShPK të ardhurit nga Italia vetëm i ka kontaktuar por nuk janë izoluar

Nga data 27 shkurt deri më 5 mars në Kosovë kanë hyrë mbi 400 persona nga Italia, përmes pikës kufitare në Vërmicë.
Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për të marrë sqarime nëse janë kontaktuar këta persona dhe janë ndërmarrë masat e parapara për mbrojtjen nga virusi COVID-19.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha për KALLXO.com tha se të gjithë personat e ardhur janë kontaktuar.
Sa i përket udhëzimeve për vetëizolim sipas masave të parapara nga qeveria, Ramadani ka thënë shkurt se këto udhëzime jepen në aeroport.
“Në aeroport është udhëzimi për vetëkarantinim për të gjithë qytetarët”, ka shtuar ai.
Megjithatë, Ramadani nuk është përgjigjur nëse janë izoluar personat e ardhur nga Italia.
Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga koronavirusi, me gati 25,000 të prekur dhe me mbi 1,800 viktima.





















