Kosovë
I prekuri me Koronavirus shëtiti një javë nëpër Kosovë: Qeveria shpërdori rastin t’i ruante qytetarët

Masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e Koronavirusit (Virusi i Kurorës për shkak të pjesëve të sipërme që ngjajnë me kurorat dhe i njohur tashmë si COVID-19) pritet të shtohen sonte në një mbledhje urgjente të thirrur nga kryeministri Kurti. Por, edhe pse kërcënimi ishte i dukshëm, tashmë mund të jetë bërë vonë për disa të prekur në vend.
“E premte, i 13-i” – tha kryeministri Kurti duke u munduar të lëshonte një shaka për takimin që kishte pasur me Thaçin, dhe i cili u ndërpre nga një thirrje telefonike që i tregonte për atë që pritej të ndodhte.
Më herët u bë e ditur se dy qytetarë brenda Kosovës ishin infektuar me Covid-19. Njëri ishte 77 vjeçar nga fshati Stubëll ndërsa tjetra ishte një 20 vjeçare që punonte si vullnetare për CARITAS-in në komunën e Klinës.
Por, nga informacionet e marra del se 77 vjeçari nga Stublla e Vitisë kishte hyrë në Kosovë para më shumë se një jave.
Ai besohet se ka ardhur në Kosovë më 5 mars, gjë që tregon qartë se pavarësisht kërcënimit të dukshëm, masat e Qeverisë nëpër aeroporte nuk kishin mjaftuar.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Klinës, Basri Aliu, ka deklaruar se qytetari i Kosovës kishte qenë vetëm dje në orët e vona të mbrëmjes në Emergjencën e Vitisë, për t’u drejtuar më pas për në Gjilan.
“Në bazë të informatave që i kemi nga familjarët e tij, nuk po mundem me dhanë informata të sakta, dikund ka hy me 5 mars në Kosovë prej Italisë. Mbrëmë në orët e vona është paraqitur në emergjencë të Vitisë, mjekët kanë dyshuar dhe e kanë përcjellë për në Gjilan”, tha Aliu.
Pra, i moshuari kosovar kur kishte ardhur nga Italia në Kosovë për një javë kishte shëtitur nëpër Kosovë. Ai kishte qenë në Viti, e më pas edhe në Gjilan. Ndërkohë që Qeveria njoftohet se vetëm tash ka arritur të identifikojë familjen e tij – edhe pse kishte pasur informatat për secilin prej qytetarëve që kishin ardhur nga Italia.
Rreth datës 5 mars, numri i të prekurve nga Koronavirusi në Itali dhe i të vdekurve ishte tepër i lartë për t’u injoruar. Por, del se kjo nuk mjaftoi që Qeveria të bindej për të mbrojtur qytetarët e Kosovës duke mbyllur kufijtë tokësorë dhe duke testuar të ardhurit nga Italia në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Madje edhe sot, siç na njoftojnë burime tonat, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës qytetarëve që kanë ardhur nga vende të ndryshme evropiane i është matur vetëm temperatura – pa asnjë masë shtesë. E gjithë kjo, përkundër informacioneve të qarta që tregojnë se 2/3 e të infektuarve me koronavirus e kanë marrë atë nga njerëz të infektuar që nuk kishin pasur as temperaturë, e asnjë simptomë tjetër.
Kosova e kishte rastin ideal që të mbronte jetën e qytetarëve të saj duke mbetur si vendi i vetëm pa raste nga Koronavirusi – por masat e pamenduara mirë nga Qeveria mund të kenë kushtuar shumë tashmë.
Nonshalanca e Qeverisë Kurti për t’i mbyllur të gjithë kufijtë shpresojmë që të mos i kushtojë shumë Kosovës./Periskopi






















