Kosovë
Hoti sfidon edhe më shumë Kurtin se Agim Veliu: Po e them edhe unë, gjendja mund të bëhet alarmante

Avdullah Hoti, zëvendëskryeministri i Kosovës, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook duke e sfiduar kryeministrin Kurti – pas shkarkimit që ky i fundit i bëri z.Agim Veliu në lidhje me një deklaratë “të pamatur”.
Zëvendës-kryeministri Hoti ka konsideruar se gjendja mund të bëhet alarmante si pasojë e Koronavirusit Covid-19, duke dhënë kësisoj një deklaratë edhe më të fortë se ajo që e kishte thënë Agim Veliu.
Mbetet të shihet nëse kryeministri Kurti do ta shkarkojë edhe zv.kryeministrin Hoti për këtë deklaratë, duke iu përmbajtur kështu qëndrimit të tij të mëhershëm, shkruan Periskopi.
“Liderët botërore, si Merkel e Trump, kanë dhënë mesazhe alarmante, jo për panik, por për vetëdijesim, duke ju treguar qytetarëve të vërtetën për rrezikun që ata të respektojnë udhëzimet shëndetësore. Ky ka qenë qëllimi i mesazheve të secilit nga ne, edhe i z.Veliu. Ky është edhe mesazhi im sot – gjendja MUND të bëhet alarmante.” – shkroi z.Hoti në Facebook.
Ai po ashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës, me LDK-në brenda, për aq kohë sa do të zgjasë do të jetë në kryerje të detyrës. Hoti iu bëri thirrje qytetarëve edhe që të ishin të kujdesshëm në ndërmarrjen e masave higjienike.
Më poshtë e keni statusin e plotë të tij:
Në këtë situatë, kur kemi drojë për shëndetin e familjarëve, miqve dhe gjithë të tjerëve, e kalojmë me solidaritet dhe lutje tek zoti.
Nuk dua t’iu ngarkoj me zhvillimet politike. POR, JU GARANTOJ SE KJO QEVERI ME LDK-në BRENDA SAJ, PËR AQ KOHË SA DO TË ZGJASË, DO JETË NË KRYE TË DETYRËS PËR TU PËRBALLUR ME SITUATËN. ASNJË DETYRË SHTETËRORE-INSTITUCIONALE NUK DO TË NDIKOHET NGA ZHVILLIMET POLITIKE.
Liderët botërore, si Merkel e Trump, kanë dhënë mesazhe alarmante, jo për panik, por për vetëdijesim, duke ju treguar qytetarëve të vërtetën për rrezikun që ata të respektojnë udhëzimet shëndetësore. Ky ka qenë qëllimi i mesazheve të secilit nga ne, edhe i z.Veliu. Ky është edhe mesazhi im sot – gjendja MUND të bëhet alarmante.
Do të jemi në kontakt tërë kohën për të ndarë barrën me secilën familje. Qëndroni në shtëpi, përveç kur është e domosdoshme të dilni. Kur të ktheheni, dezinfektoni rrobat dhe gjërat që sillni në shtëpi.
Rrugë tjetër nuk ka për të kaluar këtë pandemi.
Të lutemi së bashku që ta kalojmë këtë situatë sa më parë dhe të shihemi në punë e në ballafaqime tona të zakonshme, që janë pjesë e jetës normale dhe zhvillimeve demokratike.




















