Kosovë
Haki Abazi shkruan status për Koronavirusin: Nuk e ofendon askënd

Zëvendëskryeministri i dytë i Qeverisë në dorëheqje, Haki Abazi, sapo e ka publikuar një status në profilin e tij në Facebook, e në të cilin shkruan ato gjëra që secili prej nesh veçse i dinte – por, duke dashur që ndoshta të rriste alarmin e qytetarëve me këto mesazhe të përsëritura.
Abazi fillimisht alarmon për numrin e lartë të të prekurve e të të vdekurve në Itali dhe në ShBA, duke krahasuar më pas këto të dhëna me ato që janë deri tash në Republikën e Kosovës.
“Ne në Kosovë duhet të jemi krenarë se si e kemi menaxhuar këtë pandemi deri më sot,” – shkruan Abazi, ndoshta duke dashur që të vjedhë ndonjë votë aty-këtu edhe për Qeverinë Kurti. Në fakt, pandemia nuk menaxhohet por lufta kundër përhapjes së kësaj pandemie. Dhe po ashtu, Kosova – në këtë rast për fat të mirë – nuk mund të krahasohet me të dhënat gjeografike e demokrafike me vendet si ShBA-të, Italia po edhe Kina.
Abazi më pas kërkon edhe respektim të masave të ndërmarra nga Qeveria Kurti, duke shpjeguar se këto masa ishin bërë nga respektimi i jetës së qytetarëve. Këto masa janë rekomanduar që të merren nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, shkruan Periskopi.
Sidoqoftë, ajo që lë përshtypje të mirë në këtë status është se aty nuk ndodhet asnjë fjali fyese ndaj askujt – në këto kohë me polarizime të shumta politike. Abazi javën e kaluar kishte qenë shumë i zënë në sulmet ndaj ish partnerit qeveritar, LDK-së, me theks të veçantë kundrejt Isa Mustafës dhe Avdullah Hotit.
Më poshtë e keni statusin e tij të plotë në Facebook:
Të dashur miq,
Mbi 10,000 njerez kanë vdekur në Itali dhe mbi 2000 në SHBA deri tani, si rezultat i infektimit me COVID-19. Të dy vendet kanë sistem shumë të zhvilluar shëndetësor e me resurse njerëzore, financiare dhe informacion për pacientet me sëmundje kronike. Dhimbja është e madhe, e shifrat janë alarmante.
Ne në Kosovë duhet të jemi krenar se si e kemi menagjuar këtë pandemi deri më sot. Kjo është arritur duke u falënderuar të gjithëve në vijë e parë të frontit: Personelit mjekësor, farmaceutëve, policisë, FSK, prodhuesve e shitësve, furrtarëve, pastruesve të rrugëve, punëtorëve në KEK dhe ujësjellesit e qyteteve, institucioneve të qeverisë së Republikës së Kosovës, duarve që po ziejnë e po bëjnë ushqimin.
Qeveria ka marrë disa masa të reja shtrënguese të cilat duhet respektuar me shumë rigorizitet. Lëvizja lejohet nga ora 6:00h deri ne orën 17:00h. Kur kemi mundësi të lëvizim duhet patjetër, PATJETËR të respektojmë distancën 2 m ndërmjet.
Në makinë nuk ka hapësirë me dy metra distancë dhe përveç në raste urgjente nuk duhet të udhëtojmë me më shumë se një njeri- vozitësi.
Në market duhet mbajtur distancën, dezinfektimi të bëhet i rregullt përfshirë edhe dorëzat e shportave dhe sidomos sipërfaqet e metalta dhe ato plastike.
Në shtëpi duhet ruajtur distancën gjithashtu.
Shumë nga ne jemi gjenerata që mbajmë rregullat që të mos jemi më shumë se 3 persona së bashku në hapësira publike. Ajo është bërë atëherë nga frika që ai regjim kishte nga populli.
Sot rregulli për dy persona në distancë 2m është vendosur për të mbrojtur çdo qytetar, nga dashuria dhe respekti por edhe përgjegjësia ndaj qytetarëve.
Ne nuk do të donim kurrë të limtohet jeta normale, e aq më pak që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj qytetarëve. Mosrepsektimi i vendimeve do të detyrojë personat dhe institucionet përgjegjëse të marrin masa për të siguruar që të gjithë të mbrojmë njëri tjetërin dhe nuk e rrezikojmë askënd.
Ju lutemi që të jemi shumë të kujdeshëm dhe të zbatojmë të gjitha vendimet dhe urdhëresat e miratuara nga qeveria dhe të mbështetura nga ekspertët dhe praktikat më të mira.
Së bashku e me disiplinë e mundim COVID-19!

















