Connect with us

Uncategorized

Erdogan: Turqia dëshiron t’i japë fund luftës civile në Siri

Published

on

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se qëllimet e Turqisë në Siri janë të lehtësohet procesi politik në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe t’i jepet fund luftës civile, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan gjatë kthimit në atdhe pas bisedimeve në Rusi, tha se Turqia do të mbetet vigjilente në Idlib, rajonin veriperëndimor të Sirisë, në rast se forcat besnike ndaj regjimit të Bashar al-Assadit shënjestrojnë qytetin ose shkelin armëpushimin e fundit.

Erdoğan theksoi se marrëveshja e së enjtes për armëpushim do të përforcojë sigurinë kufitare të vendit ndaj sulmeve të regjimit dhe sulmeve terroriste, do të hapë rrugën për stabilitet dhe normalizim në rajonin e Idlibit dhe do të garantojë sigurinë e ushtarëve turq dhe civilëve.

“Qëllimi ynë është të lehtësojmë procesin politik në Siri në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe t’i japim fund luftës civile siriane”, tha Erdoğan, duke shtuar se qëllimi i vendit gjatë negociatave në Rusi ishte arritja e një armëpushimi.

“Ne do të mbetemi vigjilentë në rast të sulmeve dhe shkeljeve të regjimit”, tha ai, duke theksuar se ofensiva e Turqisë në Idlib javën e kaluar demonstroi “në mënyrë të fuqishme” vendosmërinë e Turqisë për t’iu përgjigjur sulmeve.

“Një korridor i sigurisë do të krijohet me një thellësi prej gjashtë kilometrash në pjesët veriore dhe jugore të autostradës M4. Ndërkohë, ne do të fillojmë një sistem patrullimi me ta (Rusinë). Kjo gjithashtu tregon solidaritetin midis Turqisë dhe Rusisë”, tha ai.

Erdoğan shtoi se armëpushimi mund të sjellë rezultate pozitive nëse zbatohet siç duhet nga palët, duke siguruar se Turqia nuk do të ndryshojë pozitën apo statusin e 12 pikave të vëzhdimit në Idlib.

“Kjo (situata ushtarake në Idlib) nuk është midis Rusisë dhe Turqisë”, tha ai, duke shtuar se “është regjimi që qëndron para nesh”.

Ai theksoi se trupat turke janë në Siri për të mbrojtur Turqinë dhe banorët e saj, ashtu siç e kanë “mbrojtur dhe ruajtur më 15 korrik 2016”, kur organizata terroriste FETO organizoi një përpjekje të dështuar për grusht shteti që çoi në vdekjen e qindra personave./AA/

NA NDIQ NË FACEBOOK