Kosovë
Ekspertët: Shtëpia e Bardhë po rrezikon publikun me mesazhet për koronavirusin

Mungesa e transparencës nga administrata e Donald Trump mund ta përkeqësojë problemin duke mbjellur mos-besim dhe duke “rrezikuar publikun”.
Dy ditë para se Larry Kudlow të emërohej si anëtari i ri i taskforcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik shpalli se “koronavirusi ishte nën kontroll” në ShBA, pavarësisht bollëkut të të dhënave që tregojnë të kundërtën.
“Nuk po them që është krejt i kontrollueshëm, por është goxha afër,” tha Kudlow për CNBC, duke e vendosur veten në një narrativë të rehatshme që ndoshta u shkatërrua qysh në takimin e parë të tij me taskforcën.
Deklaratat publike të Kudlow-it mbi nivelin e rrezikut për ShBA-të që paraqet shpërthimi i këtij virusi nuk u rrok kollaj nga mendjet e ekspertëve mjekësor që kanë paralajmëruar për kërcënimin që në të vërtetë ai paraqet, shkruan The Guardian, përcjell Periskopi.
Deri tash kanë vdekur 7 njerëz në shtetin e Washingtonit dhe shumë raste të reja kanë dalë pozitive dhe pritet të dalin pozitive në ShBA, duke nxitur ekspertët mjekësorë që të jenë të ndershëm, dhe të marrin masat e nevojshme.
Por, nuk ka ndodhur kështu me përgjigjjen e administratës së Trumpit deri tash, e cila është shenjuar me veprime të vonshme, shtyrje, mungesë të resurseve për testim, sulme mbi demokratët që paralajmërojnë për seriozitetin e kësaj krize, e kështu me radhë.
Michael Carome, drejtor i Grupit për Hulumtime Mjekësore, ka thënë se reagimi qeveritar nuk ishte transparent, dhe mund ta bëj problemin edhe më të keq duke mbjellur mosbesim.
“Njerëzit mund të bëjnë gjëra që minojnë përgjigjjen e mjekësisë publike ndaj saj sepse mund të mos besojnë se çka po thotë qeveria, mund të mos ndjekin instruksionet për mënyrën se si ta mbrojnë veten,” tha ai më tej. /Periskopi

















