Lajme
Edi Rama përkrah Albin Kurtin: “Je në rrugën e duhur, taksa e ka dëmtuar Kosovën”

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka dalë në mbrojtje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa i përket çështjes së taksës.
Ai madje ka kritikuar paraardhësin e Kurtit, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
Rama në Twitter ka shkruar se Haradinaj po e baltos njeriun që po e zhbllokon Kosovën me heqjen e taksës ndaj Serbisë.
“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit. Albini mund të jetë gjithçka por kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!”.
“Albin Kurti është në rrugën e duhur!Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës
”, shkruan Rama.
Reagimi i Ramës ka ardhur pasi Ramush Haradinaj akuzoi Albin Kurtin se ka bërë marrëveshje me Aleksander Vuçiqin për heqjen e taksës.
Rama shtoi se ideja se përmes taksës Serbia do ta njohë Kosovën është e parealizueshme.
“Asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës se sa ajo taksë e kthyer në një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA’s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës”, ka shtuar Rama.
Albin Kurti ka paralajmëruar se taksa hiqet tërësisht nga 1 prilli ndërsa pjesërisht nga 15 marsi i këtij viti.





















