Connect with us

Kosovë

E pakonfirmuar: Hashim Thaçi ‘e çnjeh’ Albin Kurtin si kryeministër

Publikuar

Sot, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar në takim liderët e partive politike parlamentare në Kosovë. Deri tash ai ka mbajtur takime me z.Isa Mustafa nga LDK, Ramush Haradinajn nga AAK, Kadri Veselin nga PDK dhe Fatmir Limajn nga AAK. Kurti ka refuzuar takimin duke u arsyetuar se tash ndahet në dy pjesë, si kryeministër në njërën dhe si kryetar partie në tjetrën.

Por, ftesa e Thaçit për liderët partiakë pa dyshim se i zbeh rëndësinë kryeministrit Kurti – i cili ka kërkuar deri tash që çështja e dialogut të diskutohet mes tij dhe presidentit, duke i dërguar disa ftesa për takim.

Duke pritur z.Haradinaj gjatë mëngjesit të sotëm, presidenti Thaçi iu referua atij si kryeministër duke i thënë “O hajde kryeministër” me një dashamirësi të çuditshme marrë parasysh përplasjet që kishin pasur në të kaluarën për çështjen e dialogut me Serbinë. Në fakt, z.Haradinaj është ish-kryeministër dhe nuk dihet pse z.Thaçi vendosi që përnjëhershëm ta kërkonte në takim Kurtin si kryetar të Vetëvendosjes ndërkohë që Haradinajt iu referua si ‘kryeministër’.

Por, dyshimet nuk ndalen këtu. Javën e kaluar ndodhi edhe një paraqitje tjetër mediale nga presidenti Thaçi e që ngre dyshime se ai mund të ketë vendosur që të mos e njohë Kurtin si kryeministër.

Në një konferencë për shtyp gjatë javës së kaluar, ai iu referua disa herë z.Albin Kurti si “kryetari i Vetëvendosjes” dhe jo si “kryeministri”, shkruan Periskopi.

Kujtojmë që sot Kurti refuzoi të takonte Thaçin pasi nuk donte që të takohej me të në rolin e kryetarit të partisë. Kurti në fakt kishte ndryshuar statusin e partisë së tij, Vetëvendosjes, e i cili i kërkonte dorëheqjen para zgjedhjes së kryeministër – por ai nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Dhe, Kurti si kryetar partie më herët nuk e kishte njohur Thaçin si president të vendit – megjithëse tashmë i njeh autoritetin si president.

Ai e refuzoi së fundi takimin me Thaçin pikërisht duke refuzuar që të ulej me të si kryetar partie. Ndërkohë, ndërrimi i referencës nga Thaçi tash mund të jetë për t’i kthyer goditjen atij në të njëjtën formë. /Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK