Policia ka krehur gjithë zonën ku ka ndodhur ngjarja. Ndërkohë që një patrullë policie së bashku me FNSH është nisur drejt Rrogozhinës, atje ku është gjendur një makinë e djegur e cila dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes.
Abcnews raporton se dy personat që kanë mbetur të vrarë, ishin duke qëndruar në trotuar, pranë tregut të fruta-perimeve, në zonën e Shkozetit, në kohën që një automjet me xhama të zinj, ka kaluar me shpejtësi të ulët, nga ku ka hapur zjarr në drejtim të dy personave.
Me 2 viktimat ishin të pranishëm edhe persona të tjerë, por fatmirësisht nuk është raportuar për të plagosur. Dorjan Shkoza 35 vjeç, ka mbetur i vdekur në vend, pasi ka marrë disa plumba në trup dhe një në kokë, ndërkohë Anxhelo Avdia 24 vjeç ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Durrësit.
Pistat hetimore që policia ka ngritur janë dy; përfshirja në trafikun e drogës, prishje e pazareve të drogës, por edhe ndonjë konflikt i mëparshëm, mes viktimave dhe autorëve. Dorjan Shkoza ka në pronësi edhe një pikë servisi makinash në këtë zonë. Policia është duke punuar me grupin hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.



















