Connect with us

Kosovë

Deputeti Rudi: Duam lëvizje të lirë

Published

on

Fetah Rudi, i cili u bë deputet për herë të parë, i duhet gjithmonë një asistent që i ndihmon për të hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës. Ai në emër të të gjithë përdoruesve të karrocave, po kërkon lëvizje të lirë dhe heqje të barrierave me të cilat ai e shumë të tjerë po përballen si persona me aftësi të veçanta.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocave, ai i është bashkuar marshit duke kërkuar ngritje të vetëdijes së qytetarëve për mungesën e infrastrukturës për lëvizje të lirë të këtyre personave.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se kjo çështje deri më tani nuk ka qenë prioritet i deputetëve dhe të zgjedhurve të popullit.

“Nuk ka qenë prioritet se nuk ka pasur kush të flet, tash është një adresë në kuvend dhe besoj që do ta ngriti zërin jashtëzakonisht shumë”, thotë Rudi.

Rudi thotë se kjo kategori e shoqërisë ka mbetur anash.

“Po i bashkëngjitëm edhe unë kësaj kategorie të shoqërisë që ka mbetur pak anash. Për shkak të infrastrukturës që iu mungon shumë, por edhe shumë çështje të tjera. Besoj që në këtë marsh do t’iu tregojmë edhe që duam lëvizje të lirë, duam të hiqen barrierat. Që të kemi që qasje sa më të mirë dhe më të duhur”, thotë Rudi.

Rudi thotë se pret nga institucionet e reja që të punojnë për përmirësimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuara.

“Çdo gjë mungon, mungon në tualete, nuk ke qasje të drejtpërdrejt, vazhdimisht duhet dikush të na ndihmojë, kështu që do të angazhohemi në maksimum për përmirësimin e kushteve”, shton Rudi.

Dita ndërkombëtare për përdoruesit e personave të karrocave për herë të parë në Kosovë është shënuar vitin e kaluar. Moto e këtij viti ishte “Mos ma kufizo lëvizjen”, ku shumë qytetarë e persona me nevoja të veçanta kanë marshuar nga sheshi “Skënderbeu”, deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”. Aty morën pjesë edhe kreu i ekzekutivit, Albin Kurti dhe kryeparlamentja Vjosa Osmani.

NA NDIQ NË FACEBOOK