Kosovë
Arton Demhasaj: Kurti po mundohet që ta luftojë në të gjitha mënyrat Thaçin

Arton Demhasaj nga organizata Çohu vlerësoi se vendimi për tërheqjen e shtatë ambasadorëve – përfshirë edhe Vlora Çitakun – nga Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca, lidhet me proceset që e presin Kosovën për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.
Demhasaj në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës theksoi se shkarkimet lidhen me ambasadoren Çitaku, e cila sipas tij është “një urë lidhëse shumë e fortë në mes të Presidentit Thaçi dhe Shtëpisë së Bardhë”.
“Kurti po mundohet që ta luftojë në të gjitha mënyrat Thaçin, ta minimizojë rolin e tij në dialogun Kosovë-Serbi edhe përmes këtyre veprimeve rrethanore që po ndërmerren”.
Sa i përket deklarimit të vet ambasadores Çitaku, e cila në një formë e pranoi largimin nga ky post, Demhasaj tha se është vendim pozitiv.
“Marrë parasysh që ekziston një mosdakordësim në mes të presidentit dhe qeverisë, është i kuptueshëm reagimi i saj. Ambasada e Kosovës në Washington është ndër ambasadat më të rëndësishme sepse ambasadori që përfaqëson Kosovën në SHBA, e përfaqëson edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Marrë parasysh këtë e pranoj si të mirëqenë, nëse e s’e ke pëlqimin e Ministrit të Jashtëm dhe të Kryeministrit dhe e ke vetëm të presidentit është e pamundur të funksionosh”.
“Përkundër që ambasadorja Vlora Çitaku lidhet me PDK-në apo me presidentit Hashim Thaçi, mund të themi se prej momentit kur janë themeluar ambasadat e Kosovës nëpër botë, është një nga ambasadoret që ka punuar më së shumti. Puna e saj është vërejtur si dhe ka bërë një përfaqësim të denjë të Kosovës në OKB”.
Megjithatë, ai theksoi se sipas Kushtetutës emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve politikë janë kompetencë e presidentit.
Demhasaj gjithashtu foli edhe për takimin në mes të Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, në të cilin tha se mund të jenë paraqitur pikat kryesore të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
“Mendoj se aty të paktën ato premisat kryesore apo vijat trasha janë sqaruar shumë qartë nga ndërmjetësuesit e këtij dialogu. Përndryshe nuk shoh arsye se pse presidenti kërkon të raportojë para Kuvendit, para deputetëve. Fakti qe po e kërkon një gjë të tillë tregon se dy presidentët kanë mbetur të shkojnë në vendet përkatëse, ta konkretizojnë apo ta përgatisin terrenin për marrëveshje”.





















