Kosovë
Ardian Gjini: Qeveria mori vendim antikushtetues

Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendosjen e masave të jashtëzakonshme, duke thënë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Tanimë me të vërtetë është rrezik. Kjo sjellje është e pafalshme. Nëse vazhdon kështu, pasojat do të jenë përtej koronavirusit. Sinqerisht, çmendia nuk paska kufi. Kam argumentuar për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, por jo për puç qeveritarë! Kuvendi duhet të mblidhet urgjentisht! Ky vendim është zjarrvënie e shtetit në kohën më të dhimbshme të mundshme. Kosova nuk duron diktaturë”, shkruan Gjini në një postim në Facebook.
Masat e ekzekutivit kosovar, pritet të ndalojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve. Ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve pritet të ndahet në dy kohë të ndryshme.
Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 nà « mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes. Mbledhja e qeverisë pritet të mbahet sonte në formë virtuale dhe do të votohet për masat e reja të cilat do të aplikohen prej nesër.
Ndryshe, vendimi i Qeverisë lidhur me kufizimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme, në të kundërtën, asnjë institucion nuk ka mandat t’ua mohojë atyre liritë dhe të drejtat themelore.
Qeveria sipas këtij vendimi ka shkelur disa nene të Kushtetutës që specifikohen në Nenin 56 – Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme.
-Neni 56
Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna.
Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38 të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash”, thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kosova nuk ka ligj për “orë policore” dhe në Nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore], paragrafi 1 i Kushtetutës, thuhet se të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.
Po ashtu, as Ligji Nr. 04/-L-027 për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera dhe as Ligji Nr. 02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse nuk e parashohin mundësinë për një kufizim të tillë.
Gjendja e jashtëzakonshme mund të shpallet edhe pa pajtimin e Qeverisë së Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi e ka obligim kushtetues të konsultohet me kryeministrin, por nuk e ka të nevojshme ta marrë pajtimin apo mospajtimin e tij. Për dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme vendosin më pas deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Duke iu referuar pikës 4 të nenit 131 të Kushtetutës, presidenti e ka konsultuar kryeministrin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë ka kërkuar nga kryeministri dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë, që ta mbajnë edhe një takim të radhës në ditën e nesërme, ku do të koordinoheshin masat e domosdoshme me rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Për një takim të radhës në ditën e nesërme aty nuk ishte pajtuar kryeministri dhe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, në frymën e nenit dhe paragrafit përkatës që e obligon kryeministrin, presidenti i ka dërguar sërish kërkesë me shkrim për mbajtjen e takimit të radhës së Këshillit të Sigurisë për t’i finalizuar masat që do të duhej të ishin në dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Kryeministri Kurti është përgjigjur me një shkresë, ku ka th eksuar se ndërkohë do të procedohet kërkesa e presidentit për thirrjen e takimit të Këshillit të Sigurisë. Por, duke mos e mbledhur Këshillin e Sigurisë në përputhje me kërkesën e presidentit, kryeministri ka bërë shkelje të nenit 127, paragrafit 3 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 5, paragrafi 5.4 të Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë.
Dekreti dhe masat për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme janë kompletuar nga ana e Zyrës së Presidentit, por në mungesë të takimit të radhës së Këshillit të Sigurisë nuk është arritur ende që të merren edhe rekomandimet e anëtarëve tjerë të këtij këshilli, që vijnë nga radhët e Qeverisë së Kosovës.






















