Kosovë
Analistët: Ka përçarje në koalicionin qeverisës, vendi po rrezikohet nga zgjedhjet e reja

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar ndjeshëm presionin për të hequr taksën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, ndërsa nuk iu ka pëlqyer as plani i Kurtit që largimi i saj të bëhet në mënyrë graduale.
Si pasojë e këtij presioni është shprehur qartë edhe mospajtimet mes partnerëve qeverisës LDK e VV.
Në lidhje me këtë analisti politik, Rasim Aliaj thotë se asnjëra palë nuk kanë alternativa të tjera, përpos pajtimit për këto tema. Për këtë i bën thirrje partive që të gjejnë modalitetet për të koordinuar mbi veprimet që do t’i ndërmarrin.
“Këto përplasjet e partnerëve të koalicionit nuk e rrezikojnë cilësinë e qeverisjes. Mbi të gjitha edhe një tentim për rënie të qeverisë. Nuk kanë alternativ tjetër, as LDK-ja e as LVV-ja…nuk ka alternativ tjetër përpos vazhdimin të bashkëqeverisjes dhe dakordimit me LVV si partnerin kryesor të koalicionit. Cila do të ishte ideja në rast se LDK do të dilte prej qeverisës. Cila do të ishte ideja dhe pasojat në zgjedhjet e mundshme që do t’i merrte përsipër LDK. Kjo është më shumë deklarim në baza ditore, ose një retorik”, thotë ai.
Por, njohësi tjetër i rrethanave politike, Faton Abdullahu thotë se ka përçarje në koalicionin qeverisës dhe se vendi po rrezikohet nga zgjedhjet e reja.
“Është jashtë çdo dyshimi se tani më kemi dallime jo të vogla, që mund të konstatohet se nuk kemi strategji unike. Por për më keq, ka përçarje brenda koalicionit aktual që ka bërë qeverinë Kurti. Sa i përket taksës, reciprocitetit dhe si rrjedhojë duket se edhe për dialogun. Kjo është brengose, është alarmante…nëse shkohet kështu, në njërën anë me kryeneçësi politike për mos t’i koordinuar punët me ShBA-të, dhe nëse në anën tjetër LDK me qasjen e saj dualiste. Në njërën anë të përkrahë qeverinë Kurti, në anën tjetër si parti ta kundërshtojë politikën e tij. Atëherë nëse vazhdohet ndodh ajo që unë konsideroj që nuk e dëshiron askush që në rrethanat e tanishme të shkohet në zgjedhje”, thotë ai.
Dallimet mbi largimin e taksës 100 përqind ndaj Serbisë ka shpërfaqur dallimet e koalicionit qeverisës mbi formën dhe mënyrën si duhet të largohet ajo.
Në LVV insistojnë se ajo duhet të largohet me kushte, ndërsa nga ana tjetër në LDK qëndrimi është që ajo të largohet pa kushte, siç po kërkohet nga ShBA./Periskopi/




















