Kosovë
Ahmeti: Ministrat e LDK’së dhe të minoriteteve nuk do ta votojnë propozimin e Kurtit për taksën

Shpend Ahmeti thotë se sjellja e Kurtit në këtë fazë nuk është lojë me presidentin Hashim Thaçi, por, sipas tij, është diskurs politik që të zgjidhet BE-ja nëse futemi mes saj dhe SHBA-së.
“Kjo sjellje e Kurtit nuk është e rastësishme, nuk është që po luajnë me Thaçin, është diskurs politik, që mes BE-së dhe SHBA-së të zgjidhet BE-ja me arsyetimin se SHBA-ja nuk është stabile. BE-në e kemi në oborr, e kemi shumë afër”, tha Ahmeti.
Më tej, ai theksoi se në këtë fazë nuk është se duhet t’i nënshtrohemi plotësisht SHBA-së, por nuk mund t’i injorojmë, “jo vetëm për ndihmën që na e kanë dhënë por edhe për situatën që na pret”.
Sipas Ahmetit, këtë javë duhet të takohen partitë politike dhe qeveria të flasin se cila është rruga përpara nëse Kurti vendos të mos e heqë taksën. Ai thotë se varet nga LDK se si do të vazhdohet tutje.
“Nuk janë vetëm ministrat e LDK-së, janë edhe ministrat e minoriteteve dhe unë nuk besoj që këtë propozim të Kurtit për taksën do ta votojnë këta ministra. Kryeministri Kurti duhet të vendosë a të rrezikojë rrëzimin e qeverisë. Haradinajt taksa i ka kushtuar me postin e kryeministrit. Shkarkimi i të gjitha bordeve publike nuk e shpëton Kurtin nga dialogu me Serbinë. Nuk mund ta vendosësh dialogun në faqen e 44 të programit kur e tërë bota po kërkon që dialogu me Serbinë të jetë në faqen e parë”, theksoi kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.


















