Connect with us

Uncategorized

Agimi i Artë: Si ia doli që një parti nacionaliste dhe e dhunshme ta çorodiste krejt Greqinë?

Publikuar

Periskopi ka përkthyer me shkurtime artikullin e mëposhtëm nga The Guardian, dhe i cili në origjinal mban titullin “Golden Dawn: the rise and fall of Greece’s neo-nazis” [shq. Agimi i Artë: ngritja dhe rënia e neo-nazistëve të Greqisë].

Pasi e theri Pavlos Fyssasin në gjoks, duke e lënë të vdiste nga gjakderdhja, Giogios Roupakias u kthye me qetësi drejt veturës së tij dhe priti që të arrestohej. “Mos më harroni. Unë jam një prej jush,” kishte thënë ai, sipas një zyrtari policor në vend-ngjarje.

“Çka doni të thoni me këtë, a jeni polic?” e kishte pyetur zyrtari.

“Jo, unë jam i Agimit të Artë.”

Roupakias, një ngasës kamioni i papunë, më vonë do të pretendonte se vrasjen e kishte kryer në vetëmbrojtje. Ai tha që thjesht ishte kapur në një zënkë të zakontë rruge në qytetin grek të Pireut [Piraeus], pak pas mesnatës së 18 shtatorit të vitit 2013. Ajo çka i kishte thënë zyrtarit policor, e që ishte dëgjuar nga dëshmitarë të shumtë, në fakt sugjeronte krejt tjetërçka. Agimi i Artë ishte një parti neo-naziste që ishte ngritur fuqishëm pas krizës ekonomike të Greqisë. Partia kishte kaluar nga fitorja e 20 mijë vota në nivel vendi në vitin 2009, në fitoren e 7 për qind të votave, dhe në 18 ulëse parlamentare në vitin 2012. Asnjë parti fashiste në Evropë nuk kishte arritur sukses kaq të madh në zgjedhje të përgjithshme për vite me radhë.

Kryetari i partisë
Kryetari i partisë

Megjithëse anëtarët e Agimit të Artë luanin lojën e politikave të moderuara, ata nuk ishin thjesht populistë të së djathtës ekstreme; ata ishin ai soj i nazistëve për të cilët mund të lexonit në librat e historisë. Të nxitur nga racizmi i thellë dhe nga teoritë konspirative antisemite, me një adhurim të madh për Hitlerin, Agimi i Artë kombinoi dhunën e rrugës me protesta të mëdha me valëvitje flamujsh dhe me retorikë ekstreme. Një prej anëtarëve të parlamentit nga kjo parti, kishte proklamuar “luftë civile” te një raportues i BBC-së, ndërsa një kandidat kishte premtuar para një ekipi dokumentari për një “kthim te dhomat e gazit” për emigrantët, si referencë për atë që gjermanët nazistë ua kishin bërë hebrenjve, komunitetit roma dhe pakicave tjera gjatë Holokaustit. “Evropa e kombeve është kthyer,” kishte deklaruar lideri i partisë, Nikolaos Michaloliakos, në një konferencë shtypi në muajin maj të vitit 2012. “Greqia është vetëm fillimi.”

Në vitet para suksesit elektoral të Agimit të Artë, oponentët e saj politikë ishin intimiduar, rrahur, dhe në disa raste, madje gati edhe ishin vrarë. Sapo kandidatët partiakë kishin hyrë në parlament, ky lloj i dhunës verbale veç dukej se u rrit. Aktivistët e partisë si Roupakias dukej që besonin se ishin të toleruar, e madje edhe të mbështetur, në veprimet e tyre në Greqi. Por, eventet e asaj nate në shtator të 2013-s ndryshuan gjithçka.

Në mbrëmjen e 17 shtatorit, tre mbështetës të Agimit të Artë ishin duke shikuar futboll në një bar në Keratsini, një zonë lokale në Pire, kur e kishin parë Fyssasin, reperin 34 vjeçar në një klub nate me shokët e tij. Fyssas, që kishte emrin skenik Killah P, ishte i njohur si një promovues hip-hopi dhe aktivist kundër racizmit me një mbështetje në rininë e klasës punëtore greke. Treshja e Agimit të Artë nisi të bënte thirrje telefonike; përgjimet treguan se komunikimet shkuan deri në majë të hierarkisë së partisë.

Në orën 11.28 të mbrëmjes, përgjimet treguan se një mesazh telefonik ishte dërguar nga telefoni që dyshohet se i përkiste Giorgos Patelisit, lideri i degës së Agimit të Artë në Nikaia, te dhjetëra kontakte të ndryshme: “Të gjithë mblidhuni te zyrat lokale. Kushdo që është afër. Nuk do të presim për ata që janë larg. Tash.” Roupakiasi, që kishte qenë në shtëpi duke shikuar televizor, ishte një prej njerëzve që iu përgjigjën thirrjes. Pak para mesnatës, një turmë e mbështetësve të Agimit të Artë me motoçikleta, me Roupakiasin që i ndiqte me veturën e tij, arritën në Keratsini. Dëshmitarët panë grupin e Agimit të Artë derisa kërcënonte Fyssasin dhe miqtë e tij, para se t’i ndiqnin drejt një qoshi dhe më pas deri në rrugën kryesore, Tsaldari Avenue. Ndërsa miqtë e tij ikën, Fyssasi u ndal dhe u përball me sulmuesit e tij, që shpejt e mbështetën me shpinë pas murit.

Pamjet treguan atë që ndodhi më pas. Ndërsa Fyssasi po sulmohej nga grupe burrash në dyshe e treshe, në një formë të koordinuar, vetura që po vozitej nga Roupakiasi u ndal. Ai del jashtë saj, i afrohet Fyssasit dhe si duke e përqafuar, i jep atij goditjen fatale. Mjekët që kishin trajtuar Fyssasin më vonë thanë se therja e tij dukej si një “goditje profesionale”.

Më herët gjatë vitit 2013, dy burra të lidhur me Agimin e Artë e kishin therur me thikë duke e vrarë një burrë nga Pakistani në rrugët e Athinës. Ajo vrasje as që ishte përmendur në mediat greke, e lëre më në ato ndërkombëtare. Vrasja e Fyssasit, megjithatë, bëri bujë në mbarë botën.

Investimi i vrasjes shpejt u bë një investigim për vetë Agimin e Artë, dhe rezultati ishte një gjykim i madh kriminal – gjykimi më i madh i nazistëve që nga Nurembergu, sipas avokatëve që përfaqësonin disa prej viktimave të Agimit të Artë. Më shumë se 6 vjet pas i filloi, gjykimi vetëm tash po mbërrin drejt fundit. 68 njerëz janë të akuzuar me drejtimin ose përkitjen në një organizatë kriminale. Mbrojtësit, që përfshijnë krejt lidershipin e Agimit të Artë dhe të gjithë ish deputetët e tyre, po akuzohen edhe për të tjera veprimtari kriminale si haraç, tentim-vrasje, posetim armësh. Të gjithë i kanë mohuar këto akuza.

Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme Agimi i Artë humbi në zgjedhjet e përgjithshme. Shumica e mediave tashmë i ndjekin gjykimet vetëm sporadikisht. Sipas një komentuesi centrist politik, Yannis Palaiologos, Greqia tash e ka mundësinë që të tërheq kufirin e populizmit edhe të krahut të majtë, por edhe të krahut të djathtë politik.

Klasa politike dhe mediale e Greqisë megjithatë ishte ndarë lidhur me mënyrën se si duhej trajtuar Agimi i Artë, pasi që kushtetuta greke nuk lejonte ndalimin e partive politike. Kur në fundin e 2013-s parlamenti kishte votuar që të suspendonte fondet shtetërore për partinë dhe të hiqte imunitetin e deputetëve të saj nga përndjekja penale, kjo lëvizje ishte kundërshtuar nga një pakicë të majtësh, një prej të cilëve argumentoi që Agimi i Artë “nuk ishte një parti klasike naziste”, pasi që e kishte vënë veten në kundërshti me “forcat dominonte borgjeze.”

Sidoqoftë, Agimi i Artë kishte fituar 17 nga 18 ulëset në parlamentin grek edhe në zgjedhjet e përgjithshme të janarit të vitit 2015. Këto zgjedhje ishin fituar nga Syriza, e cila kishte formuar një koalicion mes të majtës dhe të djathtës.

Fashizmi, më shumë se çdo rrymë tjetër politike, është një luftë mbi kujtesën po aq sa është për të tashmen. Fazhizmi kërkon të kolonizojë mitet tona të identitetit dhe përkatësisë, për t’i kthyer ato në qëllime të vetat destruktive. Fillojnë duke premtuar pastrimin e lagjes tuaj, qytetit tuaj apo edhe vendit tuaj. Ju thoni që kombi është për ju, dhe vetëm për njerëz si ju – dhe se dhuna e tyre do të drejtohet vetëm ndaj njerëzve që nuk kanë rëndësi: të papërshtatshmëve, të huajve, inferiorëve. Por, kjo nuk ka një fund. /The Guardian/Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK