Kosovë
Abdullahu: Qasja e Kurtit karshi kërkesave të SHBA-ve kryeneçe dhe jopragmatike

Analisti Faton Abdullahu ka vlerësuar se kryeministri i vendit Albin Kurti po tregohet kryeneç sa i përket kërkesës së SHBA-ve për heqjen e taksës.
Në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës ai tha se kërkesa e amerikanëve është tejet e qartë – jo taksë, jo reciprocitet.
“Kërkesa e SHBA-ve është e qartë, hiqeni taksën mos bëni reciprocitet dhe futuni në dialog menjëherë. Qeveria Kurti e din qe duhet të ketë qasje të menjëhershme. Çdo gjë që po bëhet është përpjekje për prolongim”.
“Qasja e kryeministrit aktual është kryeneçe, jofleksibile dhe jopragmatike karshi asaj çfarë po kërkojnë SHBA-të”.
Sipas Abdullahut, Kurti po e shtyn përpara idenë për vendosjen e masave reciproke, ngase pikërisht në saje të qasjes së tillë që ka premtuar ndaj Serbisë, ka marrë votat që e bënë kryeministër.
Ndërsa mospajtimi i partnereve të koalicionit VV-LDK për taksën nuk është risi për të.
“Ata që e kanë përcjellë me vëmendje, që e dinë të kaluarën e këtyre dy partive politike nuk do të befasohen me atë çka po ndodh tani. Këto dy parti kanë dallime të mëdha, dallojnë në koncepte politike, medotikave që përdorin, strategjisë edhe shumë faktorëve të tjerë. Janë dy forca politike që kur bëhen bashkë sikur i shumëzojnë të metat”.


















